Uji, 3 mijë lidhje të paligjshme

03/09/2011 16:55

Lidhjet e paligjshme dhe thatësira e këtyre muajve ka bërë që disa zona të Tiranës të kenë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Vetëm në Sauk, Sanatorium dhe Qytet Studenti numërohen rreth 3 mijë lidhje që sjellin kufizime të ujit të pijshëm në Tiranë.

“Janë disa zona në të cilat ka shqetësime në furnizmin me ujë, një pjesë e zonës së Tiranës së Re, një pjesë e rrugës së Kavajës dhe pjesa e Qytetit Studenti, pjesa e Sanatoriumit dhe Saukut. Gjatë 50 viteve është hera e dytë që përsëritet ky nivel prurjesh në burimet e Selitës dhe Shën Mërisë, megjithatë me administrimin që ka bërë Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve, rrjeti shpërndarës, linjat e transmetimit, nuk është prioritare mungesa ose ulja e prurjeve, prioritare është lidhjet e paligjshme dhe shpërdorimi i ujit nga qytetarët. Në Tiranë kemi sot rreth 3 mijë litra ujë në sekondë që do të thotë ujë për 24 orë për 1.5 milionë banorë. Në humbjet si rezultat i lidhjeve të paligjshme në rrjetin e Tiranës janë 50%”, është shprehur Dollapi.

Në zonën e Saukut, Sanatoriumit dhe në një pjesë të Qytetit Studenti, gjatë tre ditëve të ardhshme nuk do të ketë furnizim me uji, pasi Drejtoria e Ujësjellësit ka ndërprerë të gjitha lidhjet e paligjshme dhe po shtron rrjetin e ri.

Lidhjet e qytetarëve të këtyre zonave do të kryhen nga ujësjellësi vetëm pasi ata të kenë firmosur kontratën me Drejtorinë e Ujësjellësit.

“Kjo zonë merr në ditë reth 180 litra ujë në sekondë kur Korça sot konsumon vetëm 120 litra ujë në sekondë dhe ka ujë 24 orë për 100 mijë banorë, ndërsa ne kemi 180 litra ujë në sekondë për 20 mijë banorë. Kjo tregon shkallën e shpërdorimit dhe masën e lidhjeve të paligjshme. Aksioni ynë do vazhdojë në mënyrë të pandërprerë derisa ne qytetarëve të Tiranës t’u shërbëjmë në mënyrë maksimale”, theksoi Dollapi.

Pas aksionit në këtë zonë, puna do të përqendrohet në zonat informale të ndërtuara në zonën Babrru – Kodër Kamzës, në Fushë Mëzes dhe nga rruga 5 maji deri në Laprakë.

Në këto zona numërohen mijëra lidhje të paligjshme, ndërprerja e të cilave do të thotë një kursim prej 300 litra në sekondë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA