Topi: Kosova çështje e mbyllur

03/09/2011 16:35

Gjatë Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, presidenti Bamir Topi u takua me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. (UPDATE)

Gjatë një interviste për Top Channel, kreu i Shtetit deklaroi se marrëdhëniet me Serbinë përbëjnë prioritet me rëndësi të politikës rajonale të Shqipërisë, e cila synon të ndërtojë raporte të mira dhe konstruktive, në interes reciprok të dy vendeve.

“Kjo është vizita ime e parë në Serbi, por në kuadrin e një takimi rajonal të presidentëve të Evropës Juglindore organizuar nga UNESCO, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian dhe sikurse u pa në takim nga presidentët u trajtua pikërisht nevoja që politika të mësojë nga tradita e popujve. Unë pata edhe një takim edhe me presidentin Tadiç dhe janë diskutuar mjaft tema të rëndësishme që i takojnë marrëdhënieve bilaterale midis Shqipërisë dhe Serbisë. Është një takim që unë e konsideroj të rëndësishëm, të mirëpritur sepse edhe Shqipëria edhe Serbia janë dy vende shumë të rëndësishme në rajon kanë nevojë të çtensionojnë marrëdhëniet midis tyre, të rrisin nivelin e bashkëpunimit institucional, të rrisin marrëdhëniet e karakterit ekonomik, të çlirohen nga paragjykimet që tashmë i takojnë së kaluarës dhe t’i hapin rrugëve popujve që të jetojnë në një rajon të qetë pasi lidershipi në të kaluarën, pikërisht në epokën e Millosheviçit, krijoi trauma të jashtëzakonshme dhe tragjedi në Ballkan. Unë mendoj se kjo do t’i hapë rrugë edhe një vizite të presidentit Tadiç në Tiranë, për të trajtuar ato tema që janë me interes reciprok për dy vende që kanë se çfarë t’i thonë njeri-tjetrit dhe kanë stabilizuar shumë gjëra për t’i hapur rrugë një të ardhme evropiane jo vetëm midis dy vendeve tona, por një të ardhme evropiane për të gjithë Ballkanin”, është shprehur Topi.

Përsa i takon Kosovës, Topi theksoi se “çështja e statusit dhe kufijve është përfundimisht e mbyllur”.

“Kemi trajtuar çështje që i përkasin Kosovës. Unë kam mbajtur një qendrim që tashmë dihet qendrimet që mbajnë institucionet e Shqipërisë, realiteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, është një shtet i cili me të gjitha problemet që konsiderohen për t’u trajtuar me Serbinë do të trajtohen pikërisht nën kujdesin e Bashkimit Evropian, probleme të karakterit teknik që nisen nga pozocione të qarta të dy vendeve të pavarura dhe sovrane. Padyshim qendrimi i presidentit Tadiç është ndryshe, por unë besoj që njohjet e vazhdueshme që vijnë nga vende të ndryshme, tashmë janë 81 vende që njohin Kosovën, e bëjnë Kosovën një vend i cili të ardhmen e ka sikurse edhe vendet e tjera të rajonit në BE në një rrugë të pakthyeshme”, theksoi Topi.

“Unë isha shumë i qartë në komunikimin me presidentin Tadiç, Shqipëria mund të ndikojë sikurse çdo vend tjetër i BE-së, i rajonit që ka nevojë që të asimilojë marrëdhënie të qendrueshme, paqësore dhe demokratike. Por tashmë të gjitha marrëdhëniet ato që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve etnike janë marrëdhënie ekskluzive që i takojnë Kosovës dhe Serbisë, sikurse po zhvillohen në kujdesin e BE-së. Por të gjithë mund të ndikojnë për të stimuluar një proçes i cili ka filluar dhe është i pakthyeshëm, proçesi i integrimit të të gjitha vendeve në BE. Sot Kosova, qytetarët e saj janë të vetmit që nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në Evropë. Është një problem që duhet t’i preukupojë të gjithë dhe unë besoj se që ky duhet të jetë shqetësimi që çdo qytetar në rajonin ballkanik duhet të ndihet i lirë së pari në të drejtën bazale të lëvizjes së lirë, në një rajon të lirë, me paqe, por edhe drejt BE-së”, përfundoi Topi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA