Presidenti Bamir Topi është takuar me homologun e tij serb, Boris Tadiç, në kuadër të punimeve të Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore.
Sipas faqes zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit vuri në dukje se marrëdhëniet me Serbinë përbëjnë prioritet me rëndësi të politikës rajonale të Shqipërisë, e cila synon të ndërtojë me Serbinë raporte të mira dhe konstruktive, në interes reciprok të dy vendeve.
“Dialogu politik, institucionalizimi i marrëdhënieve, kalimi nga kontaktet sporadike në vendosjen e një komunikimi të përhershëm, do të krijonte një klimë të qëndrueshme mirëbesimi dhe sinqeriteti mes nesh”, u shpreh Topi.
Presidenti i Republikës theksoi edhe një herë në këtë takim qëndrimin e shtetit shqiptar se “çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është për ne një çështje e mbyllur”.
“Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë të njohur ndërkombëtarisht. Shqipëria mbështet bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane në dobi të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dy vendet”, tha Topi.
Presidenti Topi theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të të drejtave të shqiptarëve, të cilët jetojnë në Jug të Serbisë, të drejta si ajo e arsimimit, e barazvlerësimit të diplomave, asistenca shëndetësore, librat në shqip, etj. që përkojnë me standardet demokratike evropiane.
Top Channel