Olldashi: Autostradat me pagesë

02/09/2011 20:55

Rruga Durrës-Kukës nuk do të jetë e vetmja, e cila shumë shpejt do të bëhet me pagesë.

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi tha në një intervistë për Top Channel se qeveria ka në plan që kalimi me pagesë të shtrihet edhe në aske të tjera të rëndësishme.

“Gjithmonë e më shumë, modelet veçanërisht evropiane po tentojnë të shkojnë drejt përdorimit të rrugëve për kundrejt një tarife minimale për mirëmbajtjen e tyre. Kështu që edhe ne do të ecim në këtë drejtim ku shkojnë të gjitha vendet që i kanë kaluar të gjitha këto faza”, është shprehur Olldashi.

Investimet në rrugë kanë marrë pjesën e luanit nga taksat e qytetarëve. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit nga viti 2006, shuma totale e parave që kanë shkuar për ndërtimin e rrugëve është 223.5 miliardë lekë ose mbi 2.2 miliardë dollarë.

Olldashi thotë se vitet në vijim kostoja do të lehtësohet, pasi rrjeti rrugor po shkon drejt përfundimit.

“Në përfundim të projekteve që janë tashmë të hapura, ne kemi projekte të hapura që na totalin e tyre shkojnë në një vlerë mbi 500 milionë euro. Shqipëria do të ketë një rrjet rrugor modern. Një pjesë e madhe do të mbarojnë deri në 2013, një pjesë edhe përtej 2013-s”, deklaroi Olldashi.

Olldashi: Wikileaks? Një çartje!

Qeveria reagon për herë të parë publikisht në lidhje me kabllogramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë që u publikuan nga faqja e internetit Wikileaks.

Sokol Olldashi, ministër i Transporteve vë në dyshim vërtetësinë e tyre, sidomos për pjesën që lidhet me rrugën Durrës-Kukës.

“E para unë nuk kam asnjë konfirmim që ky është një informacion që ka dalë nga Ambasada Amerikane dhe informacioni vjen nga faqja e Wikileaks. E dyta është një informacion tërësisht i provueshëm. Ju keni arkivat tuaja dhe mund t’i hapni dhe verifikoni. Tuneli është shembur në datën 5 nëntor të vitit 2008, ndërkohë që është rihapur. Ceremonia e inaugurimit është bërë në qershor të 2009-s dhe nga ky muaj nëse ka një ditë që tuneli nuk ka qenë funksional, atëherë keni të drejtë”, tha Olldashi.

Ai mohon që Bechtel të ketë kërkuar mos hapjen e tunelit në qershor, edhe pse në shkresat e Ambasadës Amerikane thuhet se vetë drejtori i Bechtel, Michael Adams është përpjekur të bindë kryeministrin Berisha të mos e hapë tunelin në qershor.

“Nuk ka asnjë deklaratë të drejtorit të Bechtel, ju mund t’i drejtoheni vetë Bechtel zyrtarisht dhe të merrni një përgjigje. Nuk ka asnjë deklarim të drejtorit të Bechtel, janë të gjitha spekullime. Ne kemi qenë në bashkëpunim të përditshëm me kompaninë, veçanërisht për tunelin, sepse ai ishte pjesa më e vështirë e rrugës. E gjitha ajo është një çartje e madhe e cila as nuk e di se nga vjen dhe as për ku është nisur”, theksoi Olldashi.

Por a janë informacionet ne lidhje me Durrës-Kukës që Ambasada Amerikane i ka nisur Departamentit të Shtetit të pasakta, sipas kreut të Transporteve?

“Nuk mund të them nëse ka gënjyer ambasadori Withers për sa kohë që nuk di nëse kjo është një shkresë ose jo e zotit Withers. Kjo është një shkresë që del nga Wikileaks. E provoni dot që është shkresë e zotit Withers? Nëse e provoni atëherë hajdeni më pyesni dhe unë do ju përgjigjem”, theksoi Olldashi.

Tuneli i rrugës Durrës-Kukës u shemb për herë të parë në dhjetor të vitit 2008, kur ishte ende në ndërtim.

Shembja u riparua nga Bechtel dhe në 27 qershor të vitit 2009 qeveria shqiptare inaguroi rrugën.

Por siç vërteton edhe ky dokument zyrtar i Ministrisë së Punëve Publike vetëm pak muaj pas hapjes së tij, në 11 tetor 2009, tuneli u rimbyll sërish, në të dy kahet e tij për shkak se paraqiste rrezikshmëri dhe që kompania duhet të kryente edhe disa punime të tjera.

Siç thuhet edhe në deklaratën për shtyp të Ministrisë, kalimi në rrugën e re Durrës-Kukës do të ishte i pamundur për një periduhë disa javore, por që në fakt zgjati disa muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA