Kompania koncensionare ACR fton sërish minatorët që të kthehen në galeri
dhe të firmosin kontratat individuale, ku përfshihet rritja e pagës 20
përqind dhe përmirësimi i kushteve të punës.
Kompania përmes një letre premtoi informim të vazhdueshëm për planin e investimeve.
“Minatorët janë në vështirësi nga njerëz të papërgjegjshëm”, thonë përfaqësues të kompanisë.
Minatorët në Bulqizë ndërkohë vazhdojë protestën duke kërkuar që ACR të nënshkruajë marrëveshjen me sindikatën.Ata nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre për rritje page dhe përmirësim të kushteve të punës.
Keshilli Sindikal ka bere te ditur vendimin e tij per vijimin e protestes deri diten e hene, kur nis edhe sesioni ri parlamentar.
Sindikalistet kane kerkuar qe kuvendi ne seancen e pare te diskutoje per situaten ne Bulqize dhe per kerkesat e minatoreve.
“Miniera rrezikon të mbyllet”
Prej një muaji i gjithë qyteti i Bulqizës është përfshirë nga greva e urisë dhe protestat të cilat herë pas here kanë qenë edhe të dhunshme.
Minatorët, por edhe familjaret e tyre, kërkojnë paga më të larta, por edhe investime nga kompania ACR në mënyrë që të jenë më të sigurt dhe të kenë më shumë kushte teknike.
Inxhinieri Jorgo Kola, i cili ka kaluar mbi 30 vite të jetës së tij në këtë minierë, ai e mbështet grevën e ligjshme të minatorëve, por ai thekson se në themel të saj duhet të jetë kërkesa për hapjen e katër niveleve të tjera në minierë nga kompania ACR. Inxhinier Kola thotë se kromi që ndodhet në nivelin e 16 do të zgjasë punën e 700 minatorëve edhe një it, ndërkaq ACR, duhet të kishte nisur punën për hapjen e nivelit të 17, 18, 19 dhe 20, kohë më parë.
“Është i vonuar duhej të ishte hapur 2-3 vjet më parë. Në vitin 2012 apo 2013 nuk do ketë vend ku do ngul kazmën për të marrë materiale. Nuk ka më”, është shprehur Kola.
Studimet e kryera vite më parë dëshmojnë se miniera e kromit në Bulqizë ka edhe 20 nivele të tjera, por inxhinier Kola mendon se ajo në të vërtetë ka edhe 40 nivele, çka do të thotë të paktën edhe 3 deri në 4 milionë tonë krom, i cili për nga cilësia është i parë në Europë.
“Firmat private mund ta vazhdojnë edhe 50 vjet të tjera dhe nga kjo pikëpamje miniera është shumë e pasur. Është e hapur deri në -540 metra deri në nivelin e detit dhe mund të shfrytëzohet deri në 40 nivele”, theksoi Kola.
Në territorin e ACR, në nivelet e shfrytëzuara më parë prej saj, janë vendosur dhjetra kompani private, minatorët e të cilëve punojnë pa asnjë plan dhe kusht sigurie. Vite më parë në këto nivele ka patur edhe aksidente me humbje jete dhe asyeja është sipas specialistëve se ata punojnë në mënyrë të mbivendosur dhe në territore të vështira.
“Ata marrin stalamitet prej kromi të cilat janë lënë për arsye të sigurimit teknik. Nga kjo pikëpamje ata rrezikojnë veten dhe njeri-tjetrin. Duke vënë në lëvizje pjesën e sipërme rrezikohet pjesa e poshtme. Nuk duhet të jenë 100 forma, por një firmë e vetmë që të bëjë shfrytëzimin”, deklaroi Kola.
Por ndërsa fitimet e kompanisë ACR dhe firmave private janë shumë të mëdha, minatorët vendosën të hidhen në një grevë urie, për paga më të larta dhe kushte më të mira pune.
Baki Bajraktari është një prej minatorëve që ka vendosur të ngujohet për 29 ditë 1400 metra nën tokë. Sot ai është me familjen, por ka disa probleme shëndetësore.
“Më kanë nxjerrë shokët nga miniera, kam romatizmën të theksuar. Kam probleme me zemrën dhe stomakun”, thotë Bajraktari.
“Ne kërkojmë kushte pune. Nuk mundet që një ministër me një firmë të mbyllë dhe më pas të hapë puset e thellësisë për të mbushur xhepat e vetë”, shton ai.
Protestat do të rinisin të mërkurë. Por sot në qytet është heshtje dhe qetësi. Ky është muaji i argjërimit për besimtarët myslimanë, ndërsa për banorët e Bulqizës është muaji i protestave më të gjata. Por edhe pse të trazuar emocionalisht dhe me xhepa të zbrazur ata shprehen se do ta festojnë në familjet e tyre Fiter Bajramin.
Bulqiza përngjan me ato qytezat e fshehura dhe të humbura, që është në funksion të minierës së begatë të kromit. Një minierë që mban gjallë frymën e mijëra minatorëve dhe nga ana tjetër pasuron frikshëm disa të tjerë.
Top Channel