83 vjetori i monarkisë

01/09/2011 19:55

83 vjetori i themelimit të monarkisë kushtetuese shqiptare, e shpallur si e tillë nga Ahmet Zogu më 1 shtator 1928, është nderuar në Tiranë jo vetëm nga përfaqësuesit e Republikës, por edhe nëpërmjet një espozite të rrallë.

Objekte të ndryshme me vlerë, veshje të qendisura me ar dhe argjend, armë të gdhendura po ashtu me ar dhe argjend, si dhe disa dhjetëra objekte të tjera të rralla, përfshirë edhe portrete e piktura të vjetra, të gjitha shqiptare, që datojnë që prej shekullit të 16-të, janë ekspozuar në sallën qendrore të muzeut historik kombëtar.

Ato janë pjesë e koleksionit të pasur mbretëror “Adamid Frashëri”, që i përkasin me testament princit trashëgimtar Leka dhe që ekspozohen për herë të parë në Shqipëri me rastin e 83 vjetorit të themelimit të mbretërisë shqiptare. Dhe siç shprehet trashëgimtari i familjes mbreterore ekspozimi i këtij koleksioni të rrallë ka për qëllim të nxisë tek publiku dëshirën për mbrotjen e trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar.

Kryeministri Berisha e vlerësoi si një thesar të çmuar këtë ekspozitë dhe po aq lart ngriti edhe figurën e Ahmet Zogut. Mbretërinë shqiptare ai e cilësoi si një nga faqet më të rëndësishme në historinë e kombit, ndërsa Ahmet Zogun si flamur mbajtësin kryesor të kombit shqiptar.

“Ahmet Zogu, me përkushtimin e tij, atdhetarizmin e tij, trimërinë, guximin, intelektin ia doli të ndalojë një rrokullisje të madhe, të nxjerrë pavarësinë nga një jermi në mjegullnajat ballkanike. Doli të vendosë flamurin shqiptar në atë territor sigurisht të gjymtuar, por pa të cilin kombi sot nuk do të ishte më”, është shprehur Berisha.

Kryeministri si shumë studiues vendas dhe të huaj e vlerësoi Ahmet Zogun për konsolidimin e pozitës politike të shtetit të ri shqiptar. Por kryeministri, duke vënë theksin tek manipulimet historike të regjimit komunist për figurën e Ahmet Zogut, u bëri thirrje historianëve të nxjerrin nga arkivat të vërtetat dhe t’ua tregojnë ato shqiptarëve.

“Historia vazhdon të jetë një njerkë e keqe për shqiptarët dhe kësaj radhe e kam fjalën ne vepra në shkrime, ajo nuk ju ka thënë shqiptarëve akoma të vërteta e tyre. Ajo sërish është e mbuluar me hirin toksik të regjimit diktatorial 45 vjeçar. Historia duhet të flasë me të vërteta siç janë se kjo do ti ndihmojë shqiptarët të njohin më mirë veten e tyre. Kjo do t’i ndihmojë ata të jenë vetja e tyre dhe të shohin më qartë drejt së ardhmes”, theksoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA