Shqipëria, më në fund një vend urban

30/08/2011 08:00

Në një ditë të panjohur, diku në vitin 2011, Shqipëria mund të ketë
kaluar nga statusi i një vendi me popullatë me mazhorancë rurale, në një
vend me popullatë me mazhorancë urbane.

Së paku, në rast se projeksionet e popullatës të Institutit të Statistikave janë të sakta. Në 1 janar 2010, sipas të dhënave të INSTAT-it, Shqipëria kishte 3.2 milionë banorë, nga të cilët 1.6 milionë jetonin në fshat dhe 1.59 milionë jetonin në qytet.

Duke qenë se migrimi nga fshati në qytet si dhe emigrimi jashtë vendit ka vijuar, ka arsye të besohet se aktualisht Shqipëria është një vend urban.

Por për të pasur fakte të pakundërshtueshme duhet pritur regjistrimi i përgjithshëm i popullatës dhe banesave, që do të zhvillohet në tetor.

Një ditë e shënuar në historinë e vendeve të zhvilluara, kjo është dita kur më shumë se 50 për qind e popullatës jeton zyrtarisht në qytet dhe popullata që jeton me aktivitet bujqësor është në minorancë.

Kjo do të thotë se sektori jobujqësor i ekonomisë; industria, ndërtimi e shërbimet janë zhvilluar mjaftueshëm sa ky vend të futet në listën e vendeve moderne.

Shqipëria është vendi i fundit në kontinentin europian që arrin një normë urbanizimi mbi 50 për qind, absolutisht i fundit, me përjashtim të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Që në çastin që Holanda, kombi i parë modern, realizoi urbanizim në masën 50 për qind në shekullin e 17-të, të gjithë popujt e tjerë të kontinentit e pasuan.

Anglia u bë vend urban në vitin 1776, e më pas Gjermania e Italia. Vendet e Europës nordike kaluan në statusin e vendit urban në fillim të shekullit të 20-të. Vendet e Europës Lindore e kaluan në kohën e komunizmit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA