Liderët e fraksionit të rebelëve në Libi u kanë dhënë një ultimatum
forcave pro-Gaddafi që të dorëzohen brenda së shtunës, ndryshe do të
përballen me forcën ushtarake.
Mustafa Abdul Jalil, që drejton Këshillin Kombëtar të Tranzicionit, ka deklaruar se apeli u drejtohet besnikëve të kolonelit në qytetin e tij të lindjes, Sirte, si dhe në qytete të tjera.
Njoftimi vjen pasi bashkëshortja dhe tre fëmijë të liderit libian u larguan në Algjerinë fqinje, e cila e ka mbrojtur vendimin e saj për strehimin.
Sa për Gaddafi-n, vendndodhja e tij nuk dihet dhe mbi të ka shumë spekulime që tregojnë se ai mund të fshihet në Sirte, Bani Ualid, apo në Tripoli.
Aktualisht, rebelët po përpiqen të marrin nën kontroll zonat e rezistencës së trupave besnike të kolonelit, si dhe po bëhen gati për të avancuar ofensivën në Sirte.
“Nëse nuk do të ketë sinjalizime për paqe brenda së shtunës, ne do të zbatojmë opsionin ushtarak. Nuk duam ta bëjmë një gjë të tillë, por nuk mund të presim më gjatë”, ka deklaruar Jalil.
Top Channel