Myslimanet: Monitorim regjistrimit

30/08/2011 15:20

Klerike dhe teologë të njohur myslimanë në qytetin e Elbasanit kanë
kërkuar me anë të një peticioni që të monitorojnë procesin e
regjistrimit të popullsisë.

Ata i kerkojne Qeverisë që të garantojë transparencë maksimale të procesit të rregjistrimit të popullsisë mbi bazën e etnisë dhe fesë. Bashkësia e besimtarëve myslimane të Elbasanit nëpërmjet këtij peticioni paralajmëron se në rast evidentimit të parregullsive gjatë këtij procesit, ata do të bojkotojnë procesin, jo vetëm në rajonin e Elbasanit por në të gjithë vendin.

Edhe klerike te tjere bene thirrje për kryerjen me përgjegjshmëri të madhe të këtij procesi.

Regjistrimi, Tahiri letër Topallit

Deputeti socialist Saimir Tahiri i kërkoi zyrtarisht me anë të një letre kryetares së Kuvendit, zbardhjen e seancës kur u votua ligji për censusin.

Ai shkruan se ka dyshime për një proçedurë votimi të montuar. Ndërsa në terren ka nisur puna për zbatimin e këtij ligji, në qarkun e Korçës, organizata e minoritetit grek kërkoi që të ketë përfaqësuesit e saj në grupet e regjistrimit.

“Në vëmendjen time, siç kam bindjen dhe Tuajën, por edhe më shumë të publikut, janë bërë të njohura fakte të cilat hedhin dyshime fort mirë të bazuara për zhvillimin e një procedure votimi të montuar, fiktive, të manipuluar e aspak në përputhje me vullnetin vetjak të deputetëve pjesëmarrës në seancën plenare të datës 7 korrik 2011 për miratimin e P/ligjit ‘Për Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave’”, thuhet në letër.


 Aleanca Kuq e Zi: Greqia autore e ligjit

Regjistrimi, Aleanca Kuq e Zi: Greqia autore e ligjit
Aleanca Kuq e Zi akuzon Greqinë se është autore e ligjit për regjistrimin etnik. Kreu ekzekutiv i Aleancës Kuq e Zi, Redi Ramaj kërkon nga ministri i Inovacionit Genc Pollo që të mos heshtë po t’i përgjigjet parlamentit grek.

“Greqia sapo nisi pretendimet e saj territoriale. Po vërtetohen akuzat se Greqia është autore e ligjit për regjistrimin etnik”, tha Ramaj.

Sipas tij, kushtet e Greqisë për regjistrimin etnik janë të papranueshme.

Spahiu: Protesta në tetor

Kreshnik Spahiu deklaron se Greqia nuk mund t’i imponohet Shqipërisë për të ndjekur procesin e regjistrimit etnik, kur vete ajo si anëtare e BE-së nuk e aplikon këtë procedurë.

“Greqia nuk njeh pakica etnike apo pakica kombëtare në territorin e saj. Ne denoncojmë servilizimin qeveritar ndaj Greqisë”, tha Spahiu, duke paralajmëruar nisjen e protestave të Anëtarëve të Aleancës Kuq e Zi në muajin tetor.

Historiani Pëllumb Xhufi theksoi se regjistrimi me kriteret e vendosura në ligj, shënon përplasje flagrante me konventën ndërkombëtare.

“Ky lloj regjistrimi është në kundërshtim me Kushtetutën.Ideja për këtë regjistrim dhe alarmi i parë janë dhënë që në vitin 2004, tha Xhufi.

Ndërkohë që shtohet lista e anëtarësisë së Aleancës, pasi me dhjetëra intelektualë i bashkohen kësaj nisme. Nga ana e saj Aleanca Kuq e Zi deklaron se deputetët e parlamentit shqiptar shkelën rëndë Kushtetutën, duke votuar edhe për kolegët që nuk ishin në sallë.

Top Channel