Një gjykatë në jug të Indisë ka pezulluar ekzekutimin e tre personave të
dënuar për komplotimin e vrasjes së kryeministrit Rajiv Gandhi në vitin
1991.
Personat në fjalë do të varreshin në litar në një burg në Tamil Nadu më 9 shtator, por tani ky dënim është shtyrë për tetë javë.
Presidenti i Indisë refuzoi apelin për mëshirë, të bërë më herët nga tre të dënuarit, avokatët e të cilëve deklaruan se afati për marrjen e vendimit, plot 11 vjet, është jokushtetues.
Vrasja e Rajiv Gandhi nga një atentator vetëvrasës i fraksionit terrorist Tigrat e Tamilit tronditi Indinë. Të tre personat kanë qenë të gjithë pjesëtarë të grupeve separatiste që u shkatërruan nga ushtria e Sri Lankës në vitin 2009.
Dy prej tyre janë nga Sri Lanka, ndërsa njëri është nga India. Vrasja e Gandhi shihej si një hakmarrje ndaj vendimit të tij për të dërguar trupa paqeruajtëse indiane në Sri Lanka në vitin 1987, kur ai ishte kryeministër.
Për vite të tëra rebelët mohuan vrasjen e tij, por në vitin 2006 shprehën pendimin e tyre për këtë ngjarje.
Top Channel