Bashkimi Europian duket se ka gjetur konsensusin për ndalimin e importeve të naftës siriane, një tjetër përpjekje kjo për të shtuar presionin mbi regjimin e Bashar al Asadit.
Blloku ka rënë dakort në parim me sanksionet e reja, sic shpjegoi një zyrtar që kërkoi të mos përmendet në emër, në përfundimin e një takimi të ekspertëve europianë mbi këtë temë në Bruksel.
Një hap i tillë duket se është konfirmuar edhe nga burime diplomatike të cilat thonë se ndalimi i produkteve të naftës nga Damasku ka marrë mbështetjen e 27 vendeve anëtare të BE-së. Aprovimi përfundimtar nga secila qeveri duhet të mbërrijë deri nga fundi i javës.
Në Siri ndërkohë, dhuna nuk ka të sosur. Tanket dhe autoblindat e ushtrisë kanë rrethuar qytetin e Rastanit, në veri të Homsit, që sipas aktivistëve ka qenë vatër e disidentëve. Një seri operacionesh të tjera në kryeqytet dhe në provincën veriore të Idlibit, ka rezultuar me vdekjen e të pakten 6 personave.
Lajmet e ripërtëritjes së dhunës mbi kundërshtarët e regjimit vijnë në kohën kur opozita siriane njoftoi formimin e një këshilli për drejtimin e kryengritjes.
Tani Kombet e Bashkuara e vendosin në më shumë se 2.200 bilancin e të vrarëve që nga fillimi i rebelimit ndaj Asadit në muajin mars.
Një prej klerikëve sunitë më me influencë, sheiku i Al Azharit në Kajro, i dënoi me forcë sulmet mbi protestuesit që kërkojne strehim nëpër xhami. Kleriku tha se agresorët do të ndëshkohen rëndë në këtë botë dhe në tjetrën.
Top Channel