Presidentja e kompanisë ACR, Rohtraut Skatsche-Depisch uroi përmes një letre të
hapur minatorët festën e Fitër Bajramit, ndërsa shprehu besimin se
situata e vështirë do të kalohet mes bisedimeve.
“ACR do të mbulojë shpenzimet e drekës së Bajramit. Për shkak të disa personave kushtet për minatorët janë përkeqësuar”, tha presidentja, e cila u bëri thirrje minatorëve që të rikthehen në punë.
Presidentja e kompanisë thekson në letër se ACR ka miratuar kërkesën e minatorëve për rritje të pagës në masën 20 përqind, ndërsa premtoi përmirësimin e kushteve të punës.
Pas publikimit të letrës së hapur, reagoi edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla, i cili e konsideroi këtë mesazh për festën e Bajramit,thjesht si formalitet.
“ACR të nënshkruajë marrëveshje me sindikatën në mënyrë ligjore. Nënshkrimi i marrëveshjes me ACR-në në mënyrë ligjore do të ishte urimi më i mirë për minatorët”, tha Nikolla, duke theksuar se protesta do të marrë fund.
Disa dite me pare per te zgjidhur konfliktin e krijuar në Bulqizë mes punëtorëve dhe kompanisë konçesionare ACR në këtë qytet shkoi edhe vete presidentja e kompanise austriake.
Ajo u prit nga drejtuesit e kompanisë dhe më pas ju është kërkuar minatorëve të krijojnë një përfaqësi prej 4 personash që të negociojnë për zgjidhjen e konfliktit.
Për shkak të kushteve të vendosura që në këtë grup nuk duhet të jenë drejtuesit e sindikatave apo minatorët e paditur penalisht tentativat e para për negociata kanë dështuar.
Top Channel