Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetimet mbi rrugën
Durrës-Kukës pas fakteve të reja që kanë dalë në dritë nga kabllogramet e
ambasadës amerikane në Tiranë drejtuar Departamentit të Shtetit.
“Unë pres që të ketë ndonjë hap nga Prokuroria e Përgjithshme. Pas këtyre fakteve, Prokuroria mund të nisë cështjen”, tha deputeti socialist, Ilir Beqja.
Deputeti thotë se kabllogramet faktojnë qartë atë, që opozita e kishte denoncuar kohë më parë se si qeveria ka shpërdoruar me vetëdije para publike për interesa elektorale.
“Kompania i ka paralajmëruar se është me rrezik për jetën e njerëzve. Por ndërkohë qeveria nuk u zbraps, pasi kishte interesat e veta”, tha Beqja.
Sipas tij opozita do të shqyrtojë të gjitha opsionet juridike për të kërkuar zbardhjen deri në fund të aferave me paratë publike.
“Ne do të ndjekim edhe veprimet e institucioneve të tjera të shtetit”, tha Beqja.
Në një nga dokumentat që ambasada amerikane në Tiranë i dërgonte Departamentit të Shtetit në vitin 2009 zbulohet se vetë drejtori i Bechtelit, Maikell Adams kishte tentuar personalisht të bindte kryeministrin Berisha të mos e hapë tunelin e Kalimashit në qershor dy ditë para zgjedhjeve pasi, ishte e rrezikshme dhe do të sillte të paktën 15 milionë euro kosto shtese. Por paralajmërimet e drejtuesit të Bechtel nuk u morën parasysh.
Ne kabllogramet e ambasades amerikane thuhet se Sali Berisha e përuroi tunelin në 27 qershor dy ditë para zgjedhjeve dhe pak kohë më pas ai u shemb cka i kushtoi buxhetit dhjetëra milionë euro të tjera kosto.
Top Channel