Në një intervistë ekskluzive për të përditëshmen “Shqip” kreu opozitës, Edi Rama ka shpalosur pikëpamjet e Partisë Socialiste për situatën aktuale që po kalon Shqipëria, duke e përshkruar demokracinë në vend si një llumokraci.
Pyetjes së parë të kryeredaktorit të “Shqip” Alexandër Cipa se cdo të bëjë opozita dhe cili do të jetë kursi i kreut të saj zoti Rama i jep përgjigje duke deklaruar se nuk është ç’do bëjë opozita, po ç’bën qeveria dhe ç’duhet bërë me qeverinë që s’bën. Më pas vjen opozita e padyshim edhe opozita e shtron këtë pyetje dhe bën e do bëjë sa mundet. Mirëpo në thelb, sipas zotit Rama, kriza që po bren gjithnjë e më shumë Shqipërinë, s’ka gjasë të zgjidhet nëse s’kuptohet nga të gjithë ata që shqetësohen prej kursit anti-demokratik të qeverisë.
“Sa për kursin e ri të opozitës është i shpallur, ne i fituam zgjedhjet e 8 majit si rezistencë opozitare, zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojmë si alternativë qeverisëse, me gjithçka kemi në zemër, në mend e në dorë”, thotë Rama.
Duke iu pëgjigjhur pyetjes se kundërshtarët dhe skeptikët njëkohësisht, e cilësojnë Ramën si kryeopozitar të betejave të forta, por i rezultateve të pasuksesshme, lideri opozitës thotë se ai nuk është në krye të një lëvizjeje të armatosur.
Lideri i opozites është ndalur edhe në propozimet se duhen ndryshime kushtetuese. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme duke përdorur termin korigjim.
Në kushtet kur pala tjetër, Saliu, s’do të dëgjojë nga ai vesh, vijon Rama, ne jemi të gatshëm të bëhemi pjesë e çdo debati publik e qytetar, e çdo koalicioni me çdo forcë qytetare ose parti të interesuar për korigjimet e domosdoshme a përmirësimet e mëtejshme të Kushtetutës. “Kushtetuta do dy palë dhe palët janë këto që janë”, thekson ai.
Sa për zgjedhjen e Presidentit, Edi Rama deklaron se vitin e ardhshëm pret atë qetësisht në pikëpamje të interesave si palë,
“Shqetësimi ynë është për mundësinë që Sashenka apo Toma të bëhen presidentë me votat e shumicës së thjeshtë e për më tepër të vjedhur të Saliut. Tashmë është e qartë që një president i nxjerrë nga xhepi i Saliut është futja në xhepin e tij e gjithë shtetit, rënia jo vetëm de facto si sot, po edhe de jure, e të gjithë kufijve ndarës mes pushteteve kushtetues dhe mbytja në llumin e oborrit të pushtetit të sotëm, e gjithë sistemit kushtetues në Shqipëri”, thotë Rama për “Shqip”.
Top Channel