Ndryshimi i administratës

27/08/2011 16:15

Pas shkarkimit të 51 inspektorëve të tregje-taksave pritet një tjetër valë shkarkimesh të punonjësve të Bashkisë.

Këtë rradhë paralajmërohen policët bashkiakë që, sipas kreut të Policisë Bashkiake, po verifikohen nëse kanë bërë shkelje me qëllim shkarkimin e tyre.

“Po vazhdojmë punën dhe po shikojmë dokumentacionin në lidhje me çdo shkelje që kanë bërë këta inspektorë, më me imtësi do të vazhdojmë në rrugë ligjore. Shkelja verifikohet edhe nga mbikëqyrja në terren. Nëse është ndërmarrë një proçedurë dhe nuk është zbatuar do të merret masë ndaj inspektorit që ka mbuluar këtë zonë”, është shprehur Florenc Hoxha, drejtor i Policisë Bashkiake.

Me afrimin e shtatorit duket se ky është vetëm fillimi, pasi tashmë të gjithë drejtorëve të sapo emëruar u është lënë detyrë të gjejnë motivacionet e duhura për ristrukturimin e stafit, çka duket se nënkupton ndërrimin e tij.

Në fakt prej më shumë se një muaj punonjësit e bashkisë ishin në pritje pasi jo formalisht një gjë e tillë u ishte komunikuar.

E kthyer tashmë në traditë sa herë ka rotacion politik si në pushtetin qendror dhe në atë lokal, nga ky rregull i pashkruar nuk do të përjashtohet edhe administrata që punoi nën drejtimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, e cila do të duhet t’i lërë vendin mbështetësve të Partisë Demokratike dhe atyre të LSI të cilët kanë kontribuar.

Burime brenda Bashkisë thonë se listat me punonjësit e rinj janë bërë gati shumë më herët, por zëvendësimi do të kryehet pas asaj që quhet analizim i performancës së punonjësve të vjetër.

Ndërkohë Policia Bashkiake dhe Inspektoriati i Ndërtimit kanë kryer një tjetër aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Saukut pranë Senatoriumit.

Në të gjithë Tiranën, sipas kreut të Policisë Bashkiake, numërohen rreth 200 objekte pa leje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA