Ka vijuar edhe sot protesta e minatorëve në Bulqizë, ndërkohë që pranë minierës ka shkuar paraditen e sotme pronarja e kompanisë “Dekometal”, që ka në pronësi kompaninë koncesionare ACR, që vepron në minierat e kromit në Shqipëri.
Vizita e pronares së kompanisë në Bulqizë bëhet si një përpjekje për t’i dhënë fund grevës së stërzgjatur të minatorëve.
Mësohet së gjatë paradites presidentja e kompanisë koncesionare është takuar me drejtuesit lokalë të kompanisë së saj në Bulqizë dhe më pas do t’i drejtohet minatorëve që ndodhen në ambjentet e jashtme të minierës për t’u kërkuar kthimin në punë.
Mësohet se minatorët kanë zgjedhur një grup prej 10 personash nga grevistët për të dialoguar. Drejtuesit e sindikatës deklarojnë se tërhiqen nga qëndrimi i tyre për të qenë pjesë e negociatave mes minatorëve dhe kompanisë, por duan që të jenë pjesë e marrëveshjes që do të bëhet.
Një ditë më parë minatorët u përplasën me forcat e rendit në Bulqizë dhe tre prej tyre kërkuan ndihmë mjekësore. Përplasja fizike nisi për shkak se kompania ACR përdori një grup grevëthyesish për të nisur punën në minierë.
Top Channel