Për të zgjidhur konfliktin e krijuar në Bulqizë mes punëtorëve dhe kompanisë konçesionare ACR në këtë qytet ka shkuar edhe pronarja e kompanisë austriake. (UPDATE)
Ajo është pritur nga drejtuesit e kompanisë dhe më pas ju është kërkuar minatorëve të krijojnë një përfaqësi prej 4 personash që të negociojnë për zgjidhjen e konfliktit.
Për shkak të kushteve të vendosura që në këtë grup nuk duhet të jenë drejtuesit e sindikatave apo minatorët e paditur penalisht tentativat e para për negociata kanë dështuar.
Minatorët kanë qendruar jashtë portës së minierës, ndërsa administratorët dhe presidentja e kompanisë brenda.
Para një ore kompania ACR njoftoi se presidentitja e kompanisë ka deklaruar se është në Bulqizë për të gjetur bashkarisht një zgjidhje për problemin.
“Besoj se çdonjëri nga ju pret të kalojë Bajramin sa më mirë dhe të ketë një të ardhme më të mirë. Unë jam këtu që t’i bëj të mundura të dyja. Ftoj katër minatorë, vetëm punonjës të ACR-së, që të takohen me mua, të diskutojmë bashkërisht dhe të gjejmë zgjidhjen”, është shprehur ajo.
Në njoftim thuhet se përveç përmirësimit të kushteve të punës do të punohet edhe për hapjen e galerive të reja të thellësisë, një kërkesë tjetër e minatorëve kjo.
Ajo u shpreh se “le të përkushtohemi të gjithë në hapjen e pusit të thellësisë, por për ta bërë këtë ju duhet t’i ktheheni punës”. Minatorët, ndërkohë kanë kundërshtuar kushtin për të përjashtuar sindikatat nga nënshkrimi i marrëveshjes.
Ndërkohë pas ftesës së bërë nga pronarja e ACR-së, është mbledhur këshilli sindikal së bashku me përfaqësuesit e Bashkisë së Bulqizës që po diskutojnë në lidhje me gjetjen e një zgjidhje dhe krijimit të një përfaqësie për të negociuar.
Top Channel