Të ardhurat e buxhetit të shtetit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë kanë rënë nga 25.6 për qind në vitin 2009, në 24.2 për qind në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, bëhet e ditur nga një raport i Bankës së Shqipërisë.
“Të vlerësuara në raport ndaj PBB-së, në gjysmën e parë të vitit të ardhurat totale rezultojnë rreth 24.2% ose rreth 1.4 pp më të ulëta, se e njëjta periudhë një vit më parë. Rënien më të lartë nga një vit më parë, me rreth 0.9 pp e përfaqësojnë të ardhurat jotatimore. Të ardhurat tatimore në fund të 6-mujorit të parë 2011 u vlerësuan në rreth 22.4% të PBB-së, nga 22.8% një vit më parë”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Të ardhurat e qeverisë në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto tregojnë se çfarë pjese të aktivitetit ekonomik të vendit ka marrë qeveria.
Në kushtet kur taksat kanë ardhur në rritje dhe jo në rënie, edhe të ardhurat e qeverisë si përqindje e PBB-së duhet të rritet gjithashtu.
Në fakt kjo gjë nuk ka ndodhur, gjë që tregon se rritja e PBB-së nuk është reale ose në ekonominë shqiptare është rritur ndjeshëm evazioni fiskal.
Shqipëria ka pasur gjithmonë telashe kur vjen puna te pasqyrimi i rritjes ekonomike te të ardhurat e qeverisë.
Gjatë viteve 2000-2005, të ardhurat e qeverisë në përqindje të PBB-së erdhën vazhdimisht në rënie, deri sa u rishikuan te statistikat e PBB-së, nga ku rezultoi se rritja ekonomike ishte më e ulët nga ajo e deklaruar.
Qeveria e sotme duket se po hyn në të njëjtën situatë. Gjatë tre viteve të fundit, PBB-ja është vazhdimisht në rritje, ndërsa të ardhurat e qeverisë si përqindje e saj janë në rënie.
Top Channel