Zjarri i rënë ditën e djeshme në zonën e pyllit të Poros ka shkrumbuar më shumë se 200 ha zonë pyjore me pisha.
Zjarri, i cili ka nisur ditën e djeshme në orën 9 të paradites, ka qenë i përhapur në pika të ndryshme të pyllit të Poros.
Njoftimi është dhënë rreth orës 9 të mëngjesit të djeshëm për një vatër zjarri e cila është zgjeruar duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme gjatë gjithë ditës.
Në orët e vona të mbrëmjes, për ndihmë në këtë pyll kanë ardhur zjarrfikës nga Fieri dhe Berati. Prefekti i Vlorës ka kërkuar ndihmën e të gjithëve për të shuar flakët.
Deri në orët e vona të mbrëmjes zjarri ka vazhduar dhe fikja e tij ka qenë e pamundur nga punonjësit e zjarrfikseve.
Situata vazhdon të mbetet alarmante edhe sot. Punonjësit e zjarrfikseve janë gjendur që në orët e para të ditës në këtë pyll.
“Shpresojmë që me ardhjen e natës zjarri të minimizohet”, shprehet Ernest Pashaj, shefi i repartit zjarrfikës.
Zjarrfikësit kërkojnë ndihmë për mjete ajrore për fikjen e zjarrit.
Për shkak se flakët kanë përfshirë një masiv pyjor me pisha është e pamundur që ato të fiken me mjete rrethanore.
Top Channel