Përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë marrë vendim që të heqin një
pjesë të barrikadës në fshatin Rudare, bllokadë kjo që prej një muaji po e
mban të bllokuar rrugën për në pikën doganore 1 në veri të vendit.
Këtë vendim të shtabit të të ashtuquajturave komuna serbe në veri të vendit e ka konï¬rmuar Oliver Ivanovic, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë serbe.
Ndonëse për këtë vendim nuk ka asnjë informacion as KFOR-i dhe as Policia e Kosovës, Ivanovic, sipas Telegraf, ka thënë se ky vendim është marrë nga komunat veriore, të cilat kanë dashur të tregojnë se janë pro zgjidhjes së situatës me anë të dialogut.
Barrikada në Rudare është e vetmja e mbetur në veri, pas marrëveshjes së arritur ditë më parë mes KFOR-it, Qeverisë Kosovës dhe asaj serbe.
“Në bazë të vendimit të shtabit të katër komunave veriore në Mitrovicë, është vendosur që të qetësohet situata dhe me këtë rast të hiqet gjysma e barrikadës në Rudar, ndërsa gjysma tjetër më vonë”, ka thënë Ivanovic, duke shtuar se tashmë serbët veç kanë nisur të heqin pjesë të materialeve të ndryshme që kanë bllokuar rrugën në fshatin Rudar, por nuk tha se kur do të hiqet gjysma tjetër.
Në anën tjetër, Hans-Dieter ëichter, zëdhënës i KFOR-it, ka thënë se nuk ka kurrfarë të dhëna në lidhje me heqjen e gjysmës së barrikadës në Rudar.
Top Channel