Presidenti i Republikës Bamir Topi, pas Himares ka zbritur ne Sarande ku
eshte takuar me kreun e ri te bashkise Stefan Cipa dhe perfaqesuesit e
partive politike.
Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, Presidenti Topi vlerësoi bashkëjetesën qytetare, traditën e mikpritjes, vlerat kulturore e historike, të cilat konstatohen lehtësisht nga çdo vizitor i qytetit të Sarandës sic theksoi kreu shtetit.
Presidenti u uroi suksese të zgjedhurve të qeverisjes vendore në administrimin dhe mbarëvajtjen e punëve për të bërë hapa përpara në zhvillimin e qytetit.
“Punë të mbarë, suksese në realizimin e detyrave tuaja.Saranda do të vazhdojë të jetë një model i zhvillimit harmonik mes resurseve të rralla e të pafundme natyrore-bregdetare e historike dhe perspektivës ekonomike, bujqësore, të frutikulturës, çfarë duhet të vijojnë të jenë pjesë thelbësore në projektet konkrete të së ardhmes”, tha Topi.
Sikurse edhe në Himarë presidenti Topi ka ecur në shëtitoren e Sarandës duke u përshëndetur me qytetarët. Më pas një vizitë në ekspozitën “Mbresa nga Saranda”, që vijon të jetë e hapur në Muzeun Etnografik të qytetit të Sarandës.
Topi: Himara, simbol bashkëpunimi
Buzëqeshja e presidentit të Republikës, Bamir Topi tradhëton mendimet e tij. Shtrëngimi i duarve me ekipin e ri drejtues të Bashkisë së Himarës ka diçka më shumë se protokollare.
Vatër tensionesh në të shkuarën, në zgjedhjet e fundit Himara zhvilloi votime dhe rotacion të qetë të pushtetit. Ndaj presidenti shprehu bindjen se këtu nuk do të ketë bllokim të Këshillit, siç ka ndodhur në disa bashki të tjera deri para pak kohësh
“Qoftë kryetari i bashkisë qoftë kryetari i Këshillit Bashkiak pavarësisht se përfaqësojnë forca të ndryshme politike duhet të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin për të ndërtuar një filozofi të shëndosh për funksionimin e pushtetit lokal”, theksoi Topi.
Por presidenti refuzon të komentojë raportin, duke evituar të marrë pozicion në lidhje me standardet e zgjedhjeve.
Top Channel