Disa prej pasanikëve të Francës, po njësoj si Uorren Bafet në Shtetet e Bashkuara, i kërkuan qeverisë të rrisë taksat ndaj tyre, për të shmangur defiçitin.
Përmes një letre të hapur, 16 presidentet e kompanive më të mëdha në vend, përfshirë edhe pronaren e L’Orealit, Lilian Betonkur, kërkuan “të paguajnë një kontribut special me shpirtin e solidaritetit”.
Mes emrave të njohur janë; Kristof de Marzheri, i kompanisë së naftës “Total”, Frederik Udea, i Bankës Societe Zheneral dhe presidenti i kompanisë së fluturimit “Air France”, Zhan Siril Spineta.
Në letrën e tyre, të publikuar nga Nuvel Observator shkruhej: “Ne presidentët dhe krerët e industrisë, sipërmarrës, bankierë dhe qytetarë të pasur kërkojmë që të pasurit të paguajnë një kontribut special. Kur defiçiti i financave publike dhe parashikimet për përkeqësimet e borxhit shtetëror, kërcënojnë të ardhmen e Francës dhe Europës dhe kur qeveria i kërkon gjithëkujt solidaritet, për ne kontributi është i domosdoshëm”.
Ata paralajmëruan se kontributi të mos jetë aq i rëndë sa të provokojë eksodin e të pasurve apo të rrisë shmangien nga taksat.
Qeveria franceze pritet të bëjë publike masa më të ashpra fiskale në përpjekje për t’i dhënë garanci tregjeve si dhe të ulë defiçitin. Mes tyre pritet të përfshihet edhe taksa speciale e super të pasurve, apo për të gjithë ata që fitojnë më shumë se 1 milion euro në vit.
Shpallja zyrtare e paketës së masave, e cila synon të reduktojë me 14 miliardë euro defiçitin buxhetor në dy vitet e ardhshëm, do të bëhet mbrëmjen e së mërkurës.
Qeveria franceze u detyrua të vihet në veprim veçanërisht pas spekullimeve se klasifikimi aktualisht me tre A do të ulët.
Franca taton të pasurit
Qeveria franceze i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së shtresës së pasur të shoqërisë për t’i tatuar më shumë në mënyrë që të përmirësohet deficiti buxhetor.
Masat në fjalë parashikojnë një taksë prej 3 përqindësh për të gjithë personat që kanë të ardhura mbi 500 mijë euro në vit dhe është pjesë e paketës së masave që synojnë uljen e deficitit në 12 miliard euro brenda dy viteve të ardhshme.
Kryeministri francez, Fransua Fijon sqaroi se masa në fjalë do të qendrojë në fuqi deri kur deficiti buxhetor i Francës të mos kalojë 3 përqindëshin e prodhimit të brendshëm bruto, që parashikohet të ndodhë në vitin 2013.
Gjithashtu, Parisi vendosi të ulë edhe parashikimet për rritjen ekonomike për vitin 2012 në 1.75 përqind, nga 2.25 përqind që ishte parashikimi fillestar.
Top Channel