Topi: Himara, simbol bashkëpunimi

23/08/2011 19:35

Buzëqeshja e presidentit të Republikës, Bamir Topi tradhëton mendimet e tij. Shtrëngimi i duarve me ekipin e ri drejtues të Bashkisë së Himarës ka diçka më shumë se protokollare.

Vatër tensionesh në të shkuarën, në zgjedhjet e fundit Himara zhvilloi votime dhe rotacion të qetë të pushtetit. Ndaj presidenti shprehu bindjen se këtu nuk do të ketë bllokim të Këshillit, siç ka ndodhur në disa bashki të tjera deri para pak kohësh:

“Qoftë kryetari i bashkisë qoftë kryetari i Këshillit Bashkiak pavarësisht se përfaqësojnë forca të ndryshme politike duhet të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin për të ndërtuar një filozofi të shëndosh për funksionimin e pushtetit lokal”, theksoi Topi.

Por presidenti refuzon të komentojë raportin, duke evituar të marrë pozicion në lidhje me standardet e zgjedhjeve. Sa i takon ndryshimeve kushtetuese, premton se nëse do të ketë, do të shprehet brenda kompetencave që i njeh Kushtetuta:

“Presidenti e ka të drejtën për t’u shprehur në momentin e fundit me dekretin e tij. Por edhe partitë politike kur kanë bërë ndryshimet kushtetuese nuk e kanë pyetur presidenti, por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen që presidenti të mos mbajë pozicionin e tij”, theksoi Topi.

Presidenti e vuri theksin të nevoja urgjente për bashkëpunim politik, në emër të së ardhmes europiane të vendit. Në këtë kuadër, ai tha se sezoni i ardhshëm parlamentar është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Por deri atëherë, ka akoma edhe pak kohë për pushime. Të mërkurën në mëngjes presidenti do të jetë në Sarandë, kurse në mbrëmje do të darkojë familjarisht me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA