Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi për zhvillimet e fundit në Libi si edhe për reagimin e kryeministrit Berisha për ngjarjet në Tripoli.
Ai thotë se përpos kënaqësisë që ndjeu për shembjen e një tjetër fashizmi oriental në botën arabe, nuk pa asnjë kryeministër europian që të dilte të përshendeste rënien e regjimit në Tripoli.
“Pashë vetëm presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Por as njëri as tjetri nuk shkuan deri tek shpalosja e gëzimit të fitores ende të paarritur përfundimisht deri në këto momente, siç shkoi Saliu me ngut përpara të gjithëve, duke folur para shqiptarëve si të ishte në rolin e prijësit të të gjithë koalicionit botëror kundër kolonel Gadafit, mikut të tij të vjetër dhe si të kishte përballë kamerat e mbarë planetit”, shkruan kryetari i Partisë Socialiste.
Sipas Ramës, nuk ka asgjë për t’u çuditur as në psenë e krekosjes së përsëritur të Saliut para shqiptarëve për arritje globale ku Shqipëria s’ka si të ketë dot asnjë gisht, po ku kryeministri i saj sa i dhunshëm aq qesharak, me ngjashmërira të lexueshme me kolonelin e Tripolit në qasje, sjellje, fjalor, s’rri dot pa ngritur dorën e prezencës. Për liderin e opozitës, Berisha sillet si të ishte ai vetë kërthiza e fateve të botës.
“Më mirë se kushdo Saliu vetë e di që në perceptimin e shumicës së popullit tonë ai ngjan sot me Gadafin më shumë se me këdo tjetër dhe e gjithë pranvera arabe pëlqehet e mbështetet me entuziazëm sot nga shqiptarët edhe sepse, në perceptimin e shumicës së qytetarëve tanë, ata njerëz andej po çlirohen nga halle që në distancë duken shumë më të ngjashme se ç’janë, nga regjime të korruptuara, pa zgjedhje të lira, pa liri e të drejta të garantuara për njerëzit e zakonshëm, me pasuri të mëdha në duart e një kaste dhe papunësi, varfëri të skajshme, rrëmujë e pisllëk rrugëve që për dreq ngjajnë shumë me rrugët tona”, analizon me tek Rama.
Sipas shefit të opozitës, nuk ka dyshim që Shqipëria s’është Libia, as Saliu s’është Gadafi. “Po që Shqipëria ngjan më shumë me Libinë sesa me Britaninë e Madhe e me Gjermaninë dhe që Saliu ngjan më shumë me kolonelin e Tripolit sesa me cilindo nga homologët e tij europianë, as kjo s’ka asnjë dyshim. Këtë e dinë të gjithë dhe Saliu e di që të gjithë e dinë”, përfundon analizën e tij Rama.
Top Channel