Banka e Shqipërisë deklaroi se bankat e nivelit të dytë e kanë shtuar
informacionin mbi produktet që ofrojnë për klientët e vet, por ato duhet
të jenë më të kujdesshme në rastet e ndryshimit të kushteve në ofrimin e
produkteve.
“Cilësojmë se bankat kanë qenë bashkëpunuese në drejtim të përmirësimit të kontratave të kredive, ndërkohë që duhet të jenë më të kujdesshme në njoftimin e klientëve në rastet e ndryshimit të kushteve të ofrimit të produkteve”, thuhet në raportin vjetor të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë.
Ndryshimi i kushteve të ofrimit të produkteve bankare u shfaq si shqetësim nga konsumatorët dhe mediat gjatë vitit 2009, kur nën stresin e kredive të këqija, sipas “shqip”, bankat nxituan të rrisin komisionet, duke përfituar nga një klauzolë standard në kontratat e shërbimeve bankare, ku thuhet se “banka ka të drejtë të ndryshojë kushtet pa paralajmërim.”
Komisionet e zbatuara për mirëmbajtje llogarie në shumë banka u dyfishuan, së bashku me komisionet e pagesave me kartë në internet. Në shumë raste, bankat rritën interesat e kredive të klientëve ekzistues, ndërkohë që në Shqipëri mungon një strukturë për mbikëqyrjen e ndryshimit të interesave sipas ndryshimit të euriborit në tregun ndërkombëtar.
Ajo që vërehet është që pesha e të ardhurave të bankave nga interesat ka rënë ndjeshëm, ndërsa pesha e të ardhurave nga veprimtaritë e tjera, ku hyjnë komisionet për shërbimet e ndryshme bankare, janë rritur ndjeshëm. Në vitin 2008, mbi 75 për qind e të ardhurave të bankave vinte nga interesat për kreditë apo borxhet e tjera, por këtë vit, vetëm 45 për qind erdhën nga interesat, të cilat janë edhe funksioni bazë i bankave.
“Dallohet një rritje e cilësisë në raportimin e Normës Efektive të Interesit (NEI) pranë Bankës së Shqipërisë, si dhe të formateve me informacion parakontraktor për kreditë, megjithëse ende ka raste ku vërehen mangësi në dhënien e informacionit paraprak klientëve, gjatë procesit kreditues, si dhe me publikimin e NEI-t. Cilësojmë se bankat kanë qenë bashkëpunuese në drejtim të përmirësimit të kontratave të kredive, ndërkohë që duhet të jenë më të kujdesshme në njoftimin e klientëve në rastet e ndryshimit të kushteve të ofrimit të produkteve”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim mbi komisionet e zbatuara nga bankat për të parë nëse ka abuzim me pozitën dominuese dhe doli në konkluzionin se bankat nuk e marrin mundimin të informojnë klientët kur ndryshojnë kushtet e punës, pa folur këtu për faktin se në shumë raste, e drejta e klientëve për të refuzuar shërbimin me tarifë të rritur është i pamundur.
“Gjatë monitorimit u konstatua se përgjithësisht bankat e nivelit të dytë nuk i informojnë klientët e tyre në lidhje me ndryshimin e kushteve të punës, duke sjellë mosinformim të klientëve në lidhje me ndryshimet e komisionit të shërbimeve bankare, tarifat e shërbimeve dhe norma e interesit në rastet kur kjo normë varet nga Euribor apo Libor. Sipas dokumenteve të administruara gjatë monitorimit në muajin prill 2009, njëra nga bankat e nivelit të dytë ka rritur nga 1 në 2 dollarë, pra 100 për qind komisionin për mbajtjen e llogarisë rrjedhëse në dollarë dhe nuk ka njoftuar klientë”, deklaroi Autoriteti i Konkurrencës.
Autoriteti i sugjeroi qeverisë të krijojë një zyrë të posaçme për mbrojtjen e klientëve ndaj produkteve financiare spekulative, gjë të cilën qeveria nuk e ka bërë.
Top Channel