Ministri maqedonas i Mbrojtjes, Fatmir Besimi gjatë një vizite zyrtare në Tiranë është pritur nga kryeministri Sali Berisha.
Në njoftimin e Këshillit të Ministrave thuhet se në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe u ritheksua vendosmëria dhe angazhimi i të dy qeverive e vendeve për të ndërtuar infrastrukturën më të mirë ligjore dhe rrugore për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Ministri Besimi u shpreh i lumtur që vizitën e tij të parë zyrtare e zhvillon në Shqipëri, vend anëtar i NATO-s.
Kryeministri Berisha rishprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për qëndrimin që qeveria maqedonase mbajti ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Ministri Besimi u takua edhe me homologun shqiptar Arben Imami.
“Gjatë këtyre viteve marrëdhëniet tona kanë qenë të shkëlqyera, edhe marrëdhëniet tona bilaterale të zhvilluara qoftë në kuadrin e Adriatik 3, Adriatik 5 dhe iniciativës në kuadrin e Europës Jug-lindore, por edhe marrëdhëniet dypalëshë kanë qenë jashtëzakonisht të mira. Duhet të mendojmë konkretizimin edhe më tej, jo vetëm në fushën e arsimimit por edhe më tej”, tha ministri shqiptar i mbrojtes, Arben Imami.
“U nisëm bashkë drejt një rruge, që Shqipëria e kaloi me sukses, u bë anëtare e NATO-s, ne do bëjmë të gjitha reformat që në këtë periudhë, gjatë këtij mandati qeverisës, sa më shpejt që është e mundur që Maqedoni të bëhet anëtare e NATO-s”, tha në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi.
Top Channel