Dy ditë pas Edmond Haxhinastos, që foli për reformën zgjedhore, Ilir Meta përsëriti të njëjtat argumenta.
Por duke ndërprerë pushimet, i veshur sport dhe me këmbë të vrarë, të fashuar, Ilir Meta u duk se me shumë se mesazhin politik, deshi të përcjellë mesazhin se ai është në krye të punëve dhe nuk ndihet i kërcënuar.
“Mendoj që kjo është një histori e denjë vetëm për ‘summer page’ dhe nuk meriton asnjë vëmendje nga ana ime, aq më tepër në një konferencë shtypi, që ka të bëjë me një cështje shumë të rëndësishme”, tha Meta.
Pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve dhe forcave të policisë që ruajnë në Gjirin e Lalëzit, kryetari i LSI-së ishte kategorik.
“Nuk është detyra ime t’u përgjigjem atyre që krijojnë lajme të tilla”, tha Meta.
Sa i takon ndryshimeve kushtetuese, Ilir Meta tha se i qëndron pozicioneve të 2008-ës, kur ai dhe deputetët e tjerë të LSI protestuan kundër ndryshimeve të atëhershme. Por nëse do të duhet të zhbëheshin, kjo kërkon një reformë të kujdesshme.
“Ne kemi qenë dhe jemi për realizimin e ndryshimeve të duhura kushtetuese, por natyrisht që ky është një proces që kërkon një konsensus shumë më të gjerë se sa thjesht vullneti ynë. Ky është një proces që kërkon një kohë shumë të gjatë dhe kërkon edhe një transparencë dhe një gjithëpërfshirje jo vetëm të faktorëve të brendshëm, jo vetëm të shoqërisë civile dhe të ekspertëve, por edhe të institucioneve ndërkombëtare”, tha Meta.
Ilir Meta refuzoi të thotë nëse do të rikthehet në qeveri, por i rikonfirmoi publikisht besimin e tij ministrave aktualë të LSI.
Top Channel