Greva e minatorëvë të Bulqizës ka gjetur përkrahjen personale nga lideri opozitës Edi Rama i cili nëpërmjet një editoriali të botuar në median e shkruar shpreh pikëpamjet për atë që po ndodh në qytezën e minatorëve.
Zoti Rama fajëson qarqet mafioze të qeverisë, kompaninë ACR të cilën e cilëson në këtë letër si një tentakulë të oktapodit të mafias, për atë që po ndodh në minierë duke kritikuar edhe prokurorinë e cila ka mbi tavolinë provat e shkeljes së një ministri për këtë koncesion dhe nuk ka bërë asgjë.
“Minatorët s’kanë asnjë shans t’ia dalin nëse nuk bëjnë të gjithë qytetin për vete dhe qyteti s’ka asnjë shans t’i mbijetojë humnerës së mjerimit nëse nuk bashkohet me minatorët. Bulqiza është një histori dramatike babëzie, skllavërie, tradhëtie, dhune dhe frike”, kështu nis editoriali i kryesocialistit, Rama.
“Babëzia me minierat, shkruan Rama i ka rrënjët në Tiranë, në tryezën e qeverisë të Saliut, ndërsa degët në çdo labirinth nëntokë, ku po shkatërrohet një pasuri e tërë kombëtare për të bërë të pasur një grusht barbarësh të veshur me pushtet a të mbrojtur nga pushteti”.
Zoti Rama ndalet edhe në rrollin e prokurorisë e cila ka marrë qysh vitin e shkuar provat e pakundërshtueshme të shkeljes së ministrit, ka deklaruar madje edhe fillimin e hetimeve për këtë çështje, hesht njësoj si Saliu, thotë Rama, duke u bërë vetiu bashkëfajtore në këtë krim të rëndë të qeverisë së tij.
Editoriali Ramës mbyllet me një apel për të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Beteja opozitare sot është beteja e çdo shqiptari, që si ata minatorë, po e vuan babëzinë skllavëruese në trup e në shpirt, po vuan varfërinë, padrejtësinë, rënien e lirisë, të ligjit e të gjykatave, batakçillëkun e paturpësinë shtetërore, cënimin e skajshëm të dinjitetit qytetar e njerëzor dhe mungesën marramendëse të llogaridhënies së qeverisë që vetëm gënjen, vjedh, tallet me popullin”, thuhet në letrën e Ramës botuar në disa prej gazetave të përditshme.
Top Channel