Papa Benedikti XVI dëgjoi rrëfimet e katër të rinjve, në parkun Retiro të Madridit. Pas tyre ai mbërriti për të drejtuar meshën në Katedralen e Almudhenas.
Papa Benedikti XVI tha se shpejti do t’i japë një ndër titujt më të lartë të Kishës Katolike një shenjtori spanjoll të shekullit të 16. Fjalët e tij u përcollën me duartrokitje të forta nga priftërinj, peshkopë e kardinalë të mbledhur në katedrale.
Papa deklaroi se do ta shpallte së shpejti Shën Gjonin e Avilës – Doktor të Kishës Katolike. Ky titull nderi i është dhënë nga kisha vetëm 33 shenjtorëve të tjerë, mes të cilëve Shën Agustinit dhe Shën Terezës së Avilës.
Shën Gjoni i Avilës, i cili jetoi nga viti 1500-1569 kosiderohet si një ndër predikuesit më të mëdhenj të kohës së tij.
Pas meshës ai u takua në një takim privat me Mariano Rajoi Brei, kreun e Partisë Popullore, në opozitë.
Të premten, në qendër të Madridit, forcat speciale të policisë u përleshën me protestuesit që kundërshtojnë koston e vizitës 4 ditore të Atit të Shenjtë, që sipas tyre, vjen në një moment të vështirë për vendin kur papunësia është rritur dhe shpenzimet janë reduktuar.
Dita e Rinisë Botërore 2011 nisi të martën në mbrëmje me një meshë në qiell të hapur kur morrën pjesë 800 arkipeshkëve, kardinalë dhe 8000 priftërinj.
Papa Benedikti i XVI mbërriti në Spanjë të enjten dhe u prit në aeroportin Barahas të Madridit nga mbreti Huan Karlos i parë dhe Mbreteresha Sofia. Ai gjithashtu u takua me kryeministrin spanjoll Hose Luis Rodrigeth Thapatero.
Top Channel