Zjarret i afrohen Butrintit

19/08/2011 12:00

Zinxhiri i zjarreve të kësaj vere nuk ka të ndaluar në territoret rreth
Sarandës. Së fundmi, flakët kanë hyrë edhe në kufijtë e Parkut Kombëtar
të Butrintit, të cilat mësohet të jenë ndezur mbrëmjen e së martës dhe
kanë vijuar edhe gjatë natës, duke gdhirë dita e enjte, por me
intensitet më të ulët.

Saktësisht zjarri është vënë në sipërfaqet me kullota në vendin e quajtur Cimiko, në afërsi të fshatit Qenurjo, që i përket Komunës së Livadhjasë. Pas identifikimit të vendndodhjes, ka rezultuar që kjo është pjesë e sipërfaqes prej 86 kilometrash katrorë, që përfshin Parku i Butrintit.

Kjo ka qenë arsyeja që është vënë në alarm stafi i zyrës së menaxhimit dhe administrimit të Butrintit. Është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve të Sarandës, që janë përgjigjur menjëherë. Pas disa orësh operacion, megjithëse në kushtet e errësirës së natës së të mërkurës dhe të terrenit të pafavorshëm, është bërë shuarja e vatrës së zjarrit. Policia Pyjore ka shtuar edhe këtë zjarr në evidencat e rasteve të dy muajve të fundit.

Sipas drejtorit të Policisë Pyjore në Sarandë, Qani Sejdini, bëhet fjalë për 1120 hektarë pyje e kullota të përshkuara nga flakët e zjarrit, ndërkohë që thuhet se “pyjet nuk kanë pasur mjaft dëme, pasi zjarret nuk kanë prekur drurët pyjorë, por thjesht kanë përshkuar barin e thatë poshtë tyre”.

Në Qarkun e Korçës, një zjarr i përmasave masive që është shfaqur prej të paktën katër ditësh në vargmalin e Moravës, vazhdon të dëmtojë dhjetëra hektarë me pyll dhe shkurre dhe nuk është shuar ende. Vatrat e këtij zjarri ishin në fshatin Eçmenik të Devollit, dhe së fundi janë përhapur edhe në zonën e shkëmbit të Çardhakut. Për shkak të terrenit të thyer malor, deri tani nuk është ndërhyrë me asnjë mjet zjarrfikës për shuarjen e tij. Por vatrat e tij nuk janë lokalizuar as me ndërhyrjen e njerëzve.

Banorët e zonës dyshojnë se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe duke gjetur terren të përshtatshëm nga zona me shkurre dhe bar të thatë nga temperaturat e larta të verës, zjarri ka gjetur përhapje të madhe. Ende nuk ka të dhëna të përafërta për dëmet e shkaktuara, por nga vetë shtrirja e vatrave të zjarrit midis dy rretheve të Devollit dhe Korçës, mendohet se janë dëmtuar dhjetëra hektarë pyll në vargmalin e Moravës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA