Shqiptarët, të zhytur në borxhe

19/08/2011 08:00

Nevoja për të blerë shtëpi, për të hapur një aktivitet privat, për të
investuar apo për likuiditet, ose për konsum materialesh dhe shërbimesh i
ka zhytur shqiptarët gjithnjë e më tepër në detyrime ndaj bankave

Në tre vitet e fundit ka rritje të kreditorëve me rreth 30 mijë, të marra së bashku si për individin ashtu dhe për biznesin.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, e cila i referohet regjistrit të kredive, në total numri i kreditorëve ka arritur në rreth 321 mijë në vitin 2010. Duke iu referuar numrit të popullsisë, sipas INSTAT-it, kemi të paktën një në tre familje të zhytur në borxh, për shkak të kredisë që ka marrë nga bankat.

Banka e Shqipërisë. sipas “Shqip”, e vlerëson regjistrin e kredive si mjet të domosdoshëm për procesin e huamarrjes dhe transparencën që paraqet lidhur me situatën në tërësi të bankave. Në këtë regjistër janë hedhur të gjitha të dhënat e një kredimarrësi, sa i takon shumës, ecurisë së pagesave, etj., pra brenda këtij regjistri qëndron skeda e çdo individi që ka marrë kredi në bankë.

“2010-a mund të cilësohet si një vit i suksesshëm dhe i larmishëm për ecurinë e funksionimit të Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë. Në fund të vitit, në një kohë kur shënohen tre vite të operimit të tij, janë raportuar të dhënat e pothuajse të gjithë kredimarrësve në Republikën e Shqipërisë”, thotë në raportin e fundit të ‘mbikëqyrjes’ Banka e Shqipërisë. Në të theksohet se, bilanci më i fundit numëron rreth 540.000 kredi të raportuara në total, nga të cilat rreth 260.000 janë kredi aktive dhe pjesa tjetër të mbyllura gjatë këtyre tre viteve.
Sipas BSH-së, të pasurit e një informacioni shtesë dhe të besueshëm qoftë pozitiv apo negativ për klientët, është një element i rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes për një kredi të caktuar apo të vlerësimit të performancës së tij gjatë kohëzgjatjes së kredisë. Pikërisht nga ky informacion mësohet se individët kanë marrë më tepër kredi për blerje prone të paluajtshme, në masën 70 për qind, kurse biznesi, nga totali i kredive, rreth 50 për qind i ka përdorur për qëllime likuiditeti.

Duke pasur parasysh faktin se një në tre familje ka kredi në bankë e bën akoma e më shqetësues rrezikun që vjen nga ecuria e ekonomisë. Po të kihet parasysh e dhëna se 70 për qind e kredive janë në valutë, kjo do të thotë se të paktën gjysma e familjeve që kanë hua në banka janë të kërcënuar nga valuta, sikurse një shtim i papunësisë do të vendoste një pjesë të shqiptarëve në situata të vështira ekonomike. Kujtojmë se gati 65 miliardë lekë kredi të marra në banka nuk po munden të kthehen nga individët dhe bizneset, ose rreth 17 për qind ndaj totalit. Shifra i referohet muajit qershor të këtij viti dhe konsiderohet tepër e lartë, në krahasim me fundin e vitit 2010, kur ‘kredia me probleme’ ishte rreth 14 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA