Në raportin e fundit të mbikëqyrjes bankare për vitin 2010, Banka e
Shqipërisë thekson faktin se bankat nuk e kanë marrë seriozisht
analizimin e rrezikut që vjen nga kredia me probleme.
E ndarë në pika kryesore, raporti mbi inspektimin e bankave lidhur me respektimin e rregullores, kushtet e punës, etj., BSH evidenton disa probleme, por që në tërësi nuk përbëjnë rrezik për sistemin.
“Sistemi bankar përgjithësisht ka vepruar në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor e rregullativ mbikëqyrës. Megjithatë, dobësi janë evidentuar në drejtim të administrimit të rrezikut të kredisë, të ekspozimit ndaj rreziqeve të mëdha, të rrezikut të likuiditetit, transparencës me klientin etj.”, thuhet në paragrafin për ‘zbatimin e rregulloreve’.
Më konkretisht, janë evidentuar raste në të cilat nuk është respektuar rregullorja “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”. Sipas BSH-së, sipas “Shqip”, në vitin 2010, janë evidentuar tejkalime të ekspozimit maksimal të lejuar prej 10 përqindësh ndaj kapitalit rregullator për personat e lidhur me bankën si dhe kufirit prej 20 përqindësh të kapitalit rregullator ndaj një personi ose personave të lidhur me të. Nuk është respektuar brenda normave as rregullorja “Për administrimin e rrezikut të kredisë” lidhur me klasifikimin korrekt të kredive dhe pamjaftueshmërinë e fondeve rezervë të krijuara. Ekzaminimet kanë kërkuar krijimin e fondeve shtesë për provigjione në shuma që variojnë sipas rasteve të bankave specifike. “Janë rekomanduar përmirësime në analizat financiare të kredimarrësve, si dhe praktikat e ndjekura në monitorimin e performimit të kredisë”, thotë BSH-së, që shton se, krahas këtyre, janë kërkuar përmirësime të vazhdueshme të politikave dhe procedurave të brendshme që rregullojnë aktivitetin kredidhënës.
Gjatë ekzaminimeve të plota e të targetuara, vëmendje i është kushtuar veçanërisht cilësisë së portofolit të kredisë dhe praktikave të ndjekura nga bankat për monitorimin dhe ndjekjen e kredive në vonesë, si dhe masave të marra për rikuperimin e tyre.
Top Channel