Përfaqësuesit e ACR-së kanë bërë publike marrëveshjen e mirëkuptimit që është arritur mes tyre dhe një grupi përfaqësuesish nga punëtorët e minierës.
Në dokument thuhet saktësisht se kjo kompani merr përsipër të rrisë pagat me 20%, të bëjë transparent të gjithë fondin e investimeve, si dhe të përmirësojë kushtet e punës dhe të sigurisë.
Në këtë memorandum thuhet se të gjithë punonjësit që firmosin këtë memorandum duhet të dalin nga greva dhe të mos ushtrojnë asnjë veprim dhune apo force ndaj përfaqësuesve të ACR.
Por ndërsa kompania ACR, kërkon zgjidhjen dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, drejtuesit e sindikatave që ndodhen pranë grevës së minatorëve në Bulqizë e kanë rrëzuar ofertën e bërë një ditë më parë dhe deklaruoi se oferta e bërë nga administratori ACR-së është e pavërtetë.
Ditën e martë administratori i ACR-së në një intervistë dhënë për Top Channel deklaroi se kompania ishte gati të plotësonte kërkesat e minatorëve, por nga ana tjetër akuzoi drejtuesit e sindikatës se kishin një axhendë tjetër.
Pas kësaj interviste drejtuesi i grevës së urisë, Baki Bajraktari deklaroi gatishmërinë e minatorëve për të nënshkruar një marrëveshje dhe garantoi drejtuesit e kompanisë se do t’i siguronte ata nëse shkonin në Bulqizë.
Ndërsa pritej të bëhej gati lista e minatorëve që do të merrnin pjesë në negociata, situata u përshkallëzua dhe një protestë është organizuar në qytetin e Bulqizës.
Disa dhjetra minatorë dhe familjarë të tyre në shenjë proteste bllokuan rrugën kryesore.
Protesta është ndjekur nga ana e forcave të policisë të pranishme në vendin e ngjarjes.
Protestuesit kanë qendruar në rrugë duke bllokuar lëvizjen e mjeteve.
Protesta e rradhës më shumë se bllokim rruge ishte një shenjë se greva do të vijojë gjatë.
Ndërkohë duket se mes drejtuesve të sindikatës dhe kompanisë konçesionare nuk ka më komunikim.
Të dyja palët vendosin me kokëfortësi kushte të shumta para se të nisin bisedimet, kushte që shtojnë akoma më shumë tensionin.
Kompania ACR ka bërë padi penale ndaj disa minatorëve dhe sulmon ashpër drejtuesit e sindikatës duke kërkuar që ata të mos jenë pjesë e negociatave.
Ndërsa këta të fundit kërkojnë që kompania të largojë nga detyra edhe administratorin e saj para se të nisin negociatat.
Top Channel