Ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mikail Gorbaçov tha se Rusia po rrezikon të shndërrohet në një vend autoritar.
Gjatë një konference për shtyp në përvjetorin e dështimit të puçit kundër “Perestrojkës së tij” në vitin 1991, Gorbaçov shmangu kritikat ndaj kryeministrit Vladimir Putin, por tha se vendi ka nevojë për më shumë demokraci.
“Besoj se duhet të këtë një ndryshim në lidership. Ky është opinioni im. Ju nuk e pëlqeni atë? Nuk jeni të lumtur? Por çfarë është kaq e veçantë? Ne e paraqitëm ligjin gjatë kohës së Perestrojkës, duhet të ketë dy mandate presidenciale dhe kjo është e gjitha”, është shprehur Gorbaçov.
80 vjeçari Gorbaçov ishte udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik prej vitit 1985 deri në vitin 1991.
Pas puçit të dështuar, ai qendroi në pushtet edhe për pak muaj, derisa Bashkimi Sovjetik u shpërbë më 26 dhjetor të 1991.
I pyetur për gjendjen e Rusisë, dy dekada pas dështimit të puçit, gjatë të cilit u mbajt rob për tre ditë me rradhë, Gorbaçov u shpreh i pakënaqur.
Megjithëse nuk dha shumë detaje, ai kërkon me shumë reforma për të përmirësuar situatën ekonomike si dhe zgjidhje për t’u përballur me probleme të tilla si varfëria, korrupsioni, ulja e nivelit të vdekshmërisë dhe standardeve të Edukimit.
Ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik pranoi se Putin e nxorri Rusinë nga kaosi, kur pasoi Boris Jeltsinin, në krye të Rusisë në vitin 2000, por nënvizoi se metodat autoritare duhet të përdoren vetëm në disa situata të caktuara.
Putin, kryeministri i Rusisë synon një mandat të tretë për president, por ende nuk është mësuar nëse përballë tij në këtë garë që pritet të zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm – do të jetë miku i tij i dikurshëm, Demitri Medvedev.
Top Channel