Mat, ekzekutohen 3 persona

15/08/2011 08:05

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Matin mbrëmjen e së dielës.

3 persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur me armë zjarri. Krimi i trefishtë ka ndodhur në fshatin Fraks ku si pasojë janë vrarë nëna, babai dhe djali i familjes Barçi dhe janë plagosur dy djemtë e tjerë të po kësaj familje.

Viktimat janë Shaqir, Hamide dhe djali i tyre Bledar Barçi. Pas një pune intensive policia arriti të ndalojë gjatë natës autorët e krimit, vëllezërit Dashamir Barçi 35 vjeç, Valter Barçi 27 vjeç dhe Durim Barçi 22 vjeç.

Mësohet se viktimat dhe autorët kanë lidhje farefisnore mes tyre. Tre djemtë që kanë kryer vrasjen e trefishtë kanë tentuar të arratisen drejt malit kur janë ndaluar nga policia. Sipas informacioneve ende paraprake, dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti pronësie.

Policia sekuestroi gjithashtu edhe armët me të cilat është kryer krimi, një armë tip automatik dhe një armë gjahu. Pritet që në orët në vazhdim të bëhet zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA