SHBA, nis gara për president

14/08/2011 17:30

Tashmë është zyrtare. Guvernatori i Teksasit, Rik Perri, një orë përpara se të shfaqej në mitingun e Carlstonit, në Karolinën e Jugut, konfirmoi kandidaturën për zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, të cilat do të çojnë në nxjerrjen e kandidatit të vetëm që do të përballet me Barak Obamën në vitin 2012.

“Me besimin te Zoti, mbështetjen e familjes sime dhe besimin e palëkundur në virtytet e Amerikës, kandidoj për Presidencën e Shteteve të Bashkuara”, shkroi ai në faqen e tij të internetit. Ndërsa gjatë mitingut, ai tha se një vend që të rinovohet duhet ta nisë këtë prej Presidentit.

“Duhet ta kthejmë Amerikën sërish në punë”, u shpreh Perry.

Në krye të Teksasit prej vitit 2000, ku mori postin e lënë prej Xhorxh W Bushit, ai e skicoi këtë shtet sipas kredos konservatore: pak taksa, pak planifikime dhe shërbime publike të kufizuara. Megjithëse hyri më vonë se garuesit e tjerë republikanë, ai për muaj të tërë ngriti fonde. Njihet si një njeri shumë besimtar dhe kjo ra më shumë në sy në fillim të gushtit, kur ai drejtoi një lutje masive ku merrnin pjesë 30 mijë njerëz, në Hjuston.

Rick Perri shihet si favorit duke u etiketuar si një urë mes dy bazave të forta të Partisë Republikane, konservatorëve fiskalë dhe atyre socialë. Ai renditet si një ndër tre kandidatët më të fortë, Mit Romni dhe Mishel Bahman, e cila fitoi të shtunën në zgjedhjet paraprake në Shtetin e Ajouas përballë Ron Polit.

Ky konsiderohej një test i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Cdo zhvillim brenda kampit republikan do të ndiqet me vëmendje. Aftësia e Perrit për të ndezur bazën republikane, do t’i japë shumë energji garës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA