Burimet e Shën Mërisë në gjendje alarmante

14/08/2011 19:55

Dikur Tirana jo kaq e populluar sa sot, furnizohej me ujë të pijshëm thuajse tërësisht nga burimet e Selitës dhe Shën Mërisë.

Por me ndërtimin e ujëmbledhësit të Bovillës, burimet e tjera u lanë pas dore dhe gjendja e tyre sot është degraduar.

Madje drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi, prej një viti e gjysmë në këtë detyrë, e cilëson gjendjen në burimin e Shën Mërisë si alarmant.

Për të ndaluar këtë situatë, Ujësjellësi i Tiranes po investon me fondet e veta në rindërtimin e këtij burimi, i ndërtuar 50 vjet më parë, por ku nuk ishte vënë dorë deri më sot, pavarësisht rëndësisë së tij.

“Pas një inspektimi që bëmë vitin e kaluar, situata nuk ishte kaq alarmante sa sot. Por sivjet, pas një inspektimi tjetër, arritëm në përfundimin se situata është shumë emergjente, pasi ka të bëjë me dy probleme kryesore. E para ka të bëjë me furnizimin me ujë të Tiranës, pasi dalja jashtë funksionit e këtij burimi lë pa furnizuar me ujë të pijshëm rreth 25% të popullsisë së Tiranës. E dyta, dëmtimi i këtyre vendburimeve do të thotë një kosto shumë e madhe për rikthimin e tyre në gjendjen e mëparshme”, thotë drejtori, Dollapi.

Burimet e Shën Mërisë sjellin deri në 1200 litra ujë/sekondë, një sasi shumë e madhe, që për shkak të dëmtimeve të kohës, uji i pijshëm nuk shkon plotësisht në rrjet.

Në mënyrë që burimi të rikthehet plotësisht funksional, drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi premton rindërtimin e tij në një kohë sa më të shkurtër.

“Puna nuk do të ndërpritet për asnjë moment derisa gjithcka të kthehet në normalitet. Pra, do të largohemi nga burimet e Shën Mërisë, pasi të kemi garantuar 100% kaptazhet, burimet qofte nga cilësia dhe qendrueshmëria e ndërtimit, qofte nga rritja e sasisë së ujit. Dhe kjo është një ndër masat e shumta që Ujësjellësi i Tiranës po merr për stabilizimin dhe garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës”, thotë kreu i ujësjellësit.

Në këtë muaj të thatë të stinës së verës, zoti Dollapi përfitoi nga rasti të apelojë qytetarët e Tiranës për të mos shpërdoruar ujin e pijshëm. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA