Angli, masa të ashpra kundër dhunës

14/08/2011 12:30

David Cameron i ka thënë gazetës ‘The Sunday Times’ se ai do të njoftojë një seri masash të ashpra për t’i rimarrë rrugët, të cilat ishin të qeta gjatë fundjavës në mbarë vendin.

Ndërkohë, Komisioneri  i Skotland Jardit, Tim Goduin ka vlerësuar se më shumë se 3 mijë vetë do të ndëshkohen në Londër pas dhunës dhe vandalizmit të kësaj jave. Ai tha se shanset e kapje së tyre janë mjaft të mëdha, pasi “ne kemi një rrjet të jashtëzakonshëm të mbulimit të qytetit me kamera me qark të shkurtër”.

Policia britanike po përdor teknologjinë kompiuterike të imazheve të fytyrës për të identifikuar keqbërësit. Specialistët e Skotland Jardit bëjnë përputhjen e pamjeve të marra nga këto kamera dhe nga ato me cilësi të lartë regjistrimi, nga kamerat e helikopterëve me fotografitë që janë ruajtur në dosjet e kompiuterizuara të policisë për personat e arrestuar apo dënuar më herët.

Mendohet se kjo është hera e parë që kjo teknologji po përdoret në një volum kaq të madh. Arrestime të reja priten në ditët e ardhshme me mbërritjen e rezultateve të kodit gjentik nëpër vendet e krimit dhe gjurmëve të gishtërinjve. Operacioni hetimor për anarkinë dhe vandalizmin nëpër qytetet angleze është më i madhi i ndërmarrë ndonjëherë nga policia britanike, madje sugjerohet se është më i madh se operacioni pas sulmeve terroriste të 7 korrikut të 2005.

Aktualisht problem mbetet numri i kapaciteteve të lira nëpër burgjet angleze, të cilat kanë arritur në nivelin maksimal. Momentalisht ka 85 324 të bugosur nëpër burgje dhe kanë mbetur vetëm 2000 vende të lira. Por, qeveria këmbëngul se ekzistojnë kapacitetet për të gjithë ata që do burgosen për trazirat dhe plaçkitjet e kësaj jave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA