Afganistan, kamikazët sulmojnë guvernatorin

14/08/2011 17:10

Në shenjestër të një sulmi kamikaz në Afganistan, ishte shtëpia e guvernatorit të provincës së Parvanit, 50 km në veri të Kabulit.

Të paktën 19 persona u vranë dhe 37 të tjerë u plagosën. Sulmi që zgjati një orë është marrë përsipër nga talebanët, që sipas analistëve, kanë ndryshuar taktikat duke vënë në shënjestër politikanë që mendohet se janë të mbrojtur mirë.
 
Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Brendshme, sulmi nisi në orën 11 me orën lokale me shpërthimin e një autobombe. Më pas, pesë militantë të armatosur me rripa ekspozivi hynë në ndërtesën ku banonte guvernatori. Gjatë një bisede telefonike për televizionin ‘Tolo Tv’ nga shtëpia e tij, Abdul Basir Salangi tregoi se sulmi kishte pesë protagonistë.

Burime të policisë dhe shërbimeve sekrete treguan për BBC-në se rezidenca ishte sulmuar nga disa drejtime. Përleshjet e armatosura mes trupave qeveritare dhe militantëve, jo më larg se një metër prej njëri-tjetrit ishin të ashpra.

Kreu i Policisë së Parvanit tha se atentatorët kamikazë kanë mundur të hyjnë në ndërtesë ku ishin mbledhur shumë nga krerët e lartë të ushtrisë dhe policisë.

Burime lokale tregojnë se pranë ndërtesës janë regjistruar të paktën pesë shpërthime. Sipas agjensisë së pavarur të lajmeve ‘Pxhvok’, shumë prej viktimave kishin mbërritur në shtëpinë e guvernatorit për të marrë kartat e tyre të identitetit.

Kjo nuk është hera e parë që rezidenca e guvernatorit është vënë në shënjestër. Sipas analistëve, provinca e Parvanit është zakonisht e qetë, por policia po përpiqet të luftojë si militantët talebanë ashtu edhe kriminelët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA