
Dhuna ndaj një të shoqëruari në polici dhe sulmi ndaj Komisariatit Nr. 5
në Tiranë ka sjellë pezullimin e 15 punonjësve policie të kësaj
strukture, për të cilët ka nisur ecuria disiplinore për përjashtimin e
tyre.
Pezullimi u është komunikuar dje nga zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës, Gjergj Jorgo, i cili i ka vënë në dijeni se nga Drejtoria e Standardeve Profesionale po hetohet për lidhjen e tyre me ngjarjen e ndodhur më 21 korrik në Komisariatin Nr. 5, kur vëllezërit e irrituar të një personi të shoqëruar në polici, i cili ishte dhunuar, kanë sulmuar institucionin, duke rrahur disa efektivë. Madje, atë natë, pre e dhunës ra edhe shefi i krimeve të këtij komisariati.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme, ben te ditur “Shqip” menjëherë pas incidentit të shënuar në Kamzë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit.
Në këto kushte janë parë emrat e të gjithë punonjësve të policisë, të cilët ishin në shërbim, më datë 21 korrik, turn i dytë. Duke kryer veprimet verifikuese, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka vendosur nisjen e ecurisë disiplinore për 15 punonjës policie të këtij komisariati, mes të cilëve dy oficerë me gradë të lartë dhe 13 efektivë të tjerë, me grada të rolit bazë.
Ditën e djeshme, urdhri i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është komunikuar në Komisariatin Nr. 5 nga zëvendësdrejtori i policisë kryeqytetase. Gjergj Jorgo ka lexuar emrat e të pezulluarve, duke i vënë në dijeni se për ta ka nisur ecuria disiplinore për përjashtim nga Policia e Shtetit.
Madje, në urdhër është cilësuar edhe motivi i hetimit, që ka të bëjë me dhunën e ushtruar ndaj një të shoqëruari në komisariat dhe pasojat e mëvonshme të kësaj ngjarje. Bëhet fjalë për shoqërimin e një prej vëllezërve të familjes Halili.
Personi ishte shoqëruar për thyerjen e një xhami dhe aty ishte keqtrajtuar. Ai është lënë i lirë atë datë dhe kur ka shkuar në shtëpi, ka pasur shumë dëmtime. Kjo ka irrituar vëllezërit dhe të afërmit e tij. Djali ka treguar për përballjen me efektivët e këtij komisariati, pastaj mësohet se janë ngritur gjithë familja e Sherif Halilit, duke u nisur drejt godinës së policisë së Kamzës.
Nga të dhënat policore të këtij komisariati bëhet e ditur se sapo anëtarët e kësaj familjeje janë afruar kanë nisur të gjuajnë me gurë godinën e për pasojë janë afruar disa efektivë për të mundësuar largimin. Menjëherë në vendin e ngjarjes për të qetësuar situatën është gjendur edhe shefi i krimeve të këtij komisariati, i cili në tentativë për t’u sqaruar me burrat e shtëpisë është goditur pas koke. Veç tij, janë dëmtuar edhe disa efektivë të tjerë. Për këtë sulm, Policia e Tiranës ka arrestuar vëllezërit Ilir Halili, 39 vjeç, Shkëlqim Halili, 36 vjeç dhe Astrit Halili, 26 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Top Channel