Vrasja e Bin Laden në film

11/08/2011 20:10

Shefi i Komitetit të Sigurisë në Dhomën e Përfaqësueve të Kongresit Amerikan, Peter King, kërkon nisjen e një hetimi mbi raportet se Shtëpia e Bardhë u ka zbuluar producentëve hollivudianë sekrete nga vrasja e Osama Bin Ladenit.

Maureen Dowd e ‘New York Times’ pretendon se prodhuesit e filmave kanë pasur akses të plotë në informacionet e rezervuara mbi fundin e kryeterroristit. Pretendimet e republikanit King dhe raportet që qarkullojnë mbi këtë temë, Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar “qesharake”.

Vrasja e liderit të Al Kaedës në muajin ma,j gjatë një operacioni blic të forcave Elite Navy Seals në Pakistan, shënoi një tjetër pikë kulmore të presidencës së Barak Obamës. Sipas raportit të cituar nga Peter King, shpresat janë që realizimi i një filmi mbi eleminimin e njeriut përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit, t’i japë një shtysë të fuqishme përpjekjeve të Obamës për një mandat të dytë në krye të shtetit.

Filmi do të shërbente ndër të tjera si kujtesë e një fitoreje të rëndësishme në luftën kundër terrorit, që është zbehur thuajse krejtësisht kohët e fundit nga probleme si debati i tejzgjatur mbi tavanin e borxhit, ngadalësimi ekonomik dhe niveli i lartë i papunësisë. Që prej rritjes së lehtë që pësoi në maj, pas vrasjes së Bin Ladenit, popullariteti i Obamës ka rënë sërish.

Disa ditë më parë, Dowd shkruante në faqet e ‘New York Times’ se Sony Pictures ka nisur prodhimin e një filmi mbi mësymjen e banesës së Bin Ladenit në Abotabad, i cili do të mbajë firmën e Kathryn Bigelow dhe Mark Boal, regjizorja dhe skenaristi fitues i çmimit Oskar për filmin “The Hurt Locker”, i cili rrëfente historinë e një grupi ekspertësh të çmontimit të bombave në Irak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA