
Që prej përfundimit të luftës, autoriteti i Prishtinës zyrtare ka
munguar ose ka qenë pak prezent në pjesën veriore të Kosovës. Për kaq
kohë, serbët e Veriut, si në asnjë pjesë tjetër të Kosovës formuan
institucionet paralele që lidhjet vazhdojnë t’i mbajnë me Beogradin.
Në mungesë të shtetit, sipas zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë në Veri “lulëzoi” krimi, kontrabanda, dhe shume fenomene te tjera negative. Më 20 korrik Qeveria mori vendim për të ndaluar mallrat me vula të institucioneve të Serbisë, por vendimi nuk mund të zbatohej i tëri, sepse në portat kufitare në Veri hynin mallra pa kontroll.
Për këtë arsye kryeministri Hashim Thaçi autorizoi Njësitet Speciale të Policisë të merrnin nën kontroll pikën kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku gjatë aksionit ku mbeti i vrarë polici Enver Zymberi, 32-vjeçar. Pas vënies nën kontroll, njësitet elite të Policisë së Kosovës tërhiqen ndërsa në portat doganore lanë policët e thjeshtë dhe doganierët, ndërsa ishin prezent edhe ata të EULEX-it.
Serbët që kishin vendosur barrikadat që në natën e 25 korrikut bllokuan rrugët që dërgonin në këto porta dhe i vunë flakën pikës në Jarnjë të Leposaviçit, por nuk mundën edhe asaj në Bërnjak të Zubin Potokut, një skenar i ngjashëm sikurse 3 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Për këtë situatë Prishtina zyrtare bëri përgjegjës direkt Beogradin, ndërsa pas flakëve në Jarinjë KFOR-i merr situatën nën kontroll, duke shpallur ‘zona të kufizuara ushtarake’ dy portat kufitare, ndërsa paralajmëron serbët që të largojnë barrikadat, sepse KFOR mund të përdorte forcën për të liruar rrugët.
Në këtë situatë Komandanti i KFOR-it Erhard Byhler filloi të luante edhe rolin e ndërmjetësuesit. Dhjetë ditë pas aksionit të Njësive Speciale, kryeministri Hashim Thaçi njoftoi për arritjen e një ‘pajtueshmërie’ me KFOR-in, për të cilën u pajtua edhe Beogradi. Në njërën nga pikat e ‘pajtueshmërisë’ precizohej edhe ‘largimi i bllokadave’ nga rrugët, dhe vetëm 5 ditë pas ‘pajtueshmërisë’ serbët largojnë vetëm disa prej bllokadave dhe atë vetëm pak takimit të kryetarëve jo-legjitim të komunave veriore me presidentin serb, Boris Tadic.
Qeveria e Kosovës e prezanton këtë si suksesin më të madh të arritur që nga shpallja e pavarësisë, por shumë prej subjekteve opozitare e konsideruan këtë si një punë të lënë për gjysmë.’Pajtueshmëria’ e arritur ndërmjet palëve, për zbatimin e së cilës do të përkujdeset KFOR-i është menduar të zgjasë deri në mesin e shtatorit të këtij viti, ndërsa në pikat kufitare që tashmë janë ‘zona të kufizuara ushtarake’ mungojnë doganierët kosovarë. Sidoqoftë, zgjidhja është e përkohshme, dhe sipas Policisë situata në Veri është qetësuar, zyrtarët qeveritarë thonë se do të vazhdojnë me shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e doganierëve edhe në ato pika, ndërsa kryetarët jo legjitim të komunave veriore vazhdojnë të kërkojnë ndihëm e Beogradit.
Top Channel