Bursat, sërish në rënie

10/08/2011 20:40

Tregjet e aksioneve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, pas oksigjenit të së martës, pësuan sërish rënie dhe kjo lidhet me një lëkundje të titujve bankare në Francë.

Bursa e Parisit CAC, ishte nën 4.1%, ajo e Frankfurtit DAX me rënie 3.5 %. Në londer, FTSE me 2.1% dhe ajo italiane FTSE MIB nën 5.8 %.

Në këto kushte të vështira të tregut spekullimet janë në rritje se pikërisht Franca, e klasifikuar me AAA do të jetë vendi që do të pasojë Shtetet e Bashkuara me ulje në klasifikim, por kjo u kundërshtua nga ministri francez i financave dhe agjensitë kryesore Moody-s Standart and Poor’s dhe Fitch.

Shqetësimet lidhen me atë që cilësohet shëndeti i bankave franceze dhe ekspozimi i tyre ndaj borxhit qeveritar, i lëshuar nga disa prej shteteve më të dobët të eurozonës. Një tjetër element tensioni lidhet me situatën e Bankes Societe General që ka pësuar një rënie prej 14.7 %.

Frika është se banka është në vështirësi dhe se ka probleme likuiditeti. Zëdhënësi i Societe General hodhi poshtë të gjithë zërat, siç i cilësoi ai, për stabilitetin financiar të bankës. Disa prej investitorëve besojnë se institute financiar po shet flori me çmim të ulët. Cmimi i tij ka shënuar një tjetër rekord 1.77 dollarë.

Më herët, presidenti francez Nikola Sarkozi mori pjesë në një mbledhje urgjente të qeverisë dhe premtoi se Franca do të përmbushë objektivin e reduktimit të deficitit, cilatdo qofshin zhvillimet ekonomike.

Në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht njoftimit të Rezervës Federale se nuk do të rrisë normën e interesit për dy vjet, që u ktheu disi besimin investitorëve, skica për ekonominë amerikane nuk është e qartë.

Frika për të dhe borxhin në Europë detyruan shumë analistë të rishikojnë shifrat dhe vlerësimet e tyre.

Top Channel