
Parlamenti britanik është thirrur për ditën e enjte, për të hartuar një përgjigje ndaj protestave që kanë përfshirë Anglinë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri David Cameron, i cili ndërpreu pushimet në Itali dhe u kthye në vendin e tij për të menaxhuar krizën.
Komiteti qeveritar i emergjencave, Cobra, u mblodh paraditen e sotme pas dhunës së përhapur edhe në qytete të tjera angleze.
Sipas kryeministrit, gjatë takimit u vendos që mbi 16 mijë agjentë të tjerë policie do të vendosen në rrugët e Londrës ditën e mërkurë.
Të gjithë oficerët e policisë metropolitane kanë anuluar pushimet, ndërkohë që në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe policë të strukturave të tjera.
Numri i policëve që do të patrullojnë sot rrugët e Londrës do të jetë pesë herë më i madh se numri i zakonshëm i agjentëve.
“Ne do të bëjmë gjithcka që është e nevojshme për të rivendosur rendin në rrugët e Britanisë dhe për t’i bërë ato të sigurta për qytetarët që zbatojnë ligjin”, deklaroi Cameron.
Top Channel