Tregjet financiare të Europës janë përfshirë nga një nervozizëm i lartë që reflekton pasiguri për të ardhmen e ekonomisë.
Zyrtarët më të lartë në Bruksel u angazhuan, duke punuar natë e ditë, sic u shpreh komisioneri Olli Rehn, për të mbjellë pak optimizëm.
Ilir Roko, pedagog i ekonomisë në Universitetin e Gjenevës dhe ekspert i financave thotë se marrëveshjet politike nuk i qetësuan investitorët, pasi ato nuk dhanë një zgjidhje përfundimtare për krizën e borxheve në vendet e prekura.
Dy nga vendet më të prekura të krizës së borxheve janë Italia dhe Greqia, partnerët më të mëdhenj ekonomik të vendit tonë. Nëse Europa nuk do të gjejë një zgjidhje përfundimtare për krizën greke, Shqipëria do vazhdojë të ndjejë pasojat.
Ekonomia shqiptare i rezistoi recesionin në valën e parë të krizës më të egër financiare, por ritmet e rritjes ekonomike u goditën fort dhe financat publike po përballen me një nga periudhat më të vështira.
Top Channel