“Veriu”, ekspertët: Qeveria të mos tërhiqet

07/08/2011 19:45

Eksperti i fushës së sigurisë në Kosovë, Ramadan Qehaja i rekomandon qeverisë së Kosovës që të përgatitet për aksione në Veri dhe të mos tërhiqet nga plani për ta marrë nën kontrollë këtë pjesë.

Në të kundërtën sipas tij Veriu rrezikon të ndahet. Kjo edhe përkundër marrëveshjes së arritur me KFOR-in për t’i kontrolluar pikat kufitare 1 dhe 31.

Në një intervistë për Top Channel, zoti Qehaja e vlerësoi si të rrezikshëm faktin se Veriu kontrollohet nga forca të armatosura serbe, sic thotë ai, të pauniformuara, por të cilat kryejnë funksione të ndryshme.

“Ne konsiderojmë që duhet të shkojmë me forca policore atje, unë kujtoj se duhet t’i formësojmë njësitë enkas për këtë detyrë, duke marrë nga një stacion policor njerëz të caktuar për t’i formëusar për detyra konkrete që do ti kryejnë atje, gjithnjë në bashkëpunim me NATO-n sepse as NATO nuk dëshiron të ketë dhunë, ndërsa sipas Serbisë zyrtare këtu mund të ketë edhe dhunë mund të ketë edhe luftë”, thotë Qehaja.

Gjithnjë duke iu referuar prezencës së forcave të armatosura serbe në Veri, zoti Qehaja nuk e përjashton mundësinë që kjo pjesë të përfshihet nga një konflikt i armatosur.

“Nëse tërhiqemi atëherë nuk kemi bërë asgjë, dhe Kushtetuta këtë nuk e lejon. Nuk e di kush do të ishte ai që do të tërhiqej nga një pjesë e territorit të vet, dmth përkundër asaj që mund të kemi edhe humbje njerëzore dhe materiale, por ne duhet aty për aty të bëjmë përgatitje paraprake, por gjithashtu të jemi të përgatitur diplomatikisht për ta bindur Serbinë që t’i tërheqë forcat e armatosura nga territori i Kosovës”, vijon më tej Qehaja.

Por sa do të jetë i mundur një veprim i tillë kur Policia e Kosovës nuk e ka një helikopter të vetëm. Njësia speciale është e pajisur vetëm me armë të brezit dhe të krahut.

“Kuptohet që ne nuk kemi helikopter, cuditerisht nuk kemi helikopter, por ne duhet te ndërtojmë korridore në pjesët anësore dhe nëpër rrugët dytësore, prej nga duhet ta mbrojmë me cdo kusht atë pjesë, për ta bërë furnizimin e njësiteve tona të cilat do të hyjnë në atë pjesë të territorit, vetëm me prezencën tone atje mund të jemi dominant e tash nuk jemi dominant”, thotë ai.

Në këtë kohë, sipas zotit Qehaja, qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë maksimalisht edhe vendimin e saj për bllokim të mallrave serbe, një vendim ky që po i shkakton humbje të mëdha ekonomike Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA