Rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare në Jarinje të Leposaviqit dhe Bërnjak të Zubin Potokut vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga strukturat paralele serbe. (UPDATE)
Zhbllokimi i rrugëve nuk është bërë ende as pas “pajtueshmërisë” ndërmjet KFOR-it dhe qeverisë së Kosovës, për të cilën është pajtuar edhe Serbia.
Në takimin që kanë mbajtur përfaqësuesit e të ashqutuajturit “Këshilli i Komunave Serbe në Veri” është vendosur që të martën më 9 gusht të analizohet situata aktuale politike dhe e sigurisë, me theks të veçantë tek marrëveshja mes qeverisë së Serbisë dhe KFOR-it, si dhe çështjen e barrikadave.
Siç raporton “B92”, liderët serbë të veriut kanë ftuar serbët në barrikada që “ta shprehin pakënaqësinë e tyre dhe rezistencën ndaj tentimeve të dhunshme të autoriteteve shqiptare”.
Në këtë situatë nuk ka ndonjë deklarim nga KFOR-i nëse do të ndërhyjë për të larguar barrikadat, apo do të presë rezultatin e takimit të së martës.
Në anën tjetër, serbët lokalë kanë kthyer mbrapsht të premten mbrëma përfaqësuesit e Serbisë, Goran Bogdanovic dhe Borisllav Stefanovic, të cilët kanë kërkuar zhbllokimin e rrugëve.
Në bazë të “marrëveshjes” apo “pajtueshmërisë”, siç ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, rrugët që çojnë në portat 1 dhe 31 do të zhbllokohen dhe ato do të mbesin të mbyllura për mallrat komerciale.
Po ashtu, në bazë të “pajtueshmërisë”, ndihmat humanitare do të lejohen të kalojnë vetëm pas konstatimeve se në atë pjesë të Kosovës ka krizë humanitare dhe do të lejohet vetëm qarkullimi i automjeteve të vogla, pas kontrolleve rigoroze.
Sipas kryeministrit, pas krijimit të kushteve edhe në pikën e Jarinjes, të cilës iu vu flaka javën e kaluar, do të kthehn policia dhe doganierët shqiptarë.
Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen vetëm me kaq. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, citohet të ketë thënë gjatë së shtunës se në ditët e ardhshme do të ketë hetime dhe arrestime për kriminelët në veri.
Sidoqoftë, gjatë të premtes mbrëma situata në veri ka qenë e qetë dhe sipas Policisë së Kosovës, nuk është shënuar ndonjë incident.
Top Channel