Zëvendësndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, Tomas Kantrimen, në
një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ka mirëpritur në emër të
Shteteve të Bashkuara arritjen e pajtueshmërisë për qetësimin e situatës
në veri të Kosovës, duke thënë se me të hapet rruga për vazhdimin e
dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian midis Kosovës dhe
Serbisë.
“Vlerësojmë faktin se Beogradi dhe Prishtina kanë ushtruar durim dhe gatishmëri për të qetësuar situatën, derisa zhvilloheshin diskutimet për këtë pajtueshmëri”, tha Kantrimen.
Sipas tij, ky pakt stabilizon situatën dhe hap rrugën për një diskutim shumë të rëndësishëm, që është vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë.
“Është e pashmangshme, çështjet që ndërlidhen me veriun duhet të diskutohen dhe është në interes të të dyja palëve të punojnë në një mënyrë praktike, për t’i zgjidhur këto çështje të jetës së përditshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës, e gjithashtu është në dobi edhe të qytetarëve të Serbisë”, u shpreh Kantrimen.
Top Channel