Në ditën e 13-të të grevës së urisë në Bulqizë, kreu i sindikatës Kol Nikollaj ka denoncuar ato që ai i quajti presione të kompanisë “ACR” ndaj minatorëve dhe të afërmve të tyre.
E me këtë rast, sic tha ai, janë depozituar edhe kallëzime penale në komisariatin e policisë së qytetit.
Nikollaj theksoi se ata janë të hapur për negociata, qoftë me qeverinë, qoftë me firmën “ACR”, por nga krahu tjetër artikuloi edhe një kërkesë të re më ekstreme.
Tashmë, në emër të minatorëve, Kol Nikollaj kërkoi largimin nga Shqipëria të firmës “ACR”.
“Ne nga momenti në moment po përgatisim një peticion për presidentin dhe kryeministrin, që të nisin procedurat për largimin e firmës, që shkatërroi minierën dhe po përpiqet të na varrosë të gjithëve”, ka deklaruar Nikollaj.
Megjithatë, Nikollaj la të hapur mundësinë e negociatave të cilat, sic tha ai, duhet të kenë atë vetë në tryezë si drejtues të palës së minatorëve.
“Të gjithë bashkë ne jemi të hapur në cdo orë për të diskutuar, me qeverinë apo me firmën, në të kundërt greva nuk do të mbyllet. Madje, grevistët do vazhdojnë me presion më të lartë ndaj strukturave indiferente shtetërore”, ka theksuar Nikollaj.
Situata e minatorëve sa vjen e rëndohet, ndërkohë që zgjidhja apo tentativa për të zgjidhur grevën ka mbetur peng i përfaqësimit të palëve në tryezën e negociatave.
Krerët e sindikatës kanë vijuar të kërkojnë domosdoshmërisht praninë në tryezë me “ACR”, ndërkohë që vetë firma kërkon të negociojë vetëm me minatorët, duke përjashtuar krerët e sindikatës.
Ndërsa në sipërfaqe gjithcka mbetet e ngrirë, nën tokë një ditë më parë krerët e grevës së urisë artikuluan edhe mundësinë për të negociuar pa krerët e sindikatës.
“Ne kemi qenë gati dhe po të ishte nevoja kryetari jonë nuk do ishte përfaqësues për të negociuar daljen nga greva e urisë”, deklaroi dje një prej minatorëve.
Pavarësisht deklaratës, asgjë nuk ndryshon dhe më shumë se të gjithë janë vetë minatorët ata që rrezikojnë, jetët e të cilëve tashmë janë bërë peng i përplasjes mes “ACR” dhe sindikatës.
Top Channel