
Liderja e partisë në pushtet në Indi, Sonia Gandhi po rekuperohet pasi iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm për shkak të një problemi shëndetësor.
Zëdhënësi i partisë, Janardhan Dwivedi ka deklaruar se mjekët kanë konfirmuar përfundimin me sukses të ndërhyrjes kirurgjike, që dyshohet se është kryer jashtë shtetit.
“Zonja Gandhi ka të ngjarë që të mungojë për dy ose tre javë”, ka saktësuar zëdhënësi.
Sonia Gandhi, 64 vjec, është politikania më e fuqishme e Indisë. Ajo nuk mban poste zyrtare, por shumë thonë se ajo është de fakto kreu i qeverisë.
Zëdhënësi Dwivedi ka nënvizuar se zonja Gandhi po rekuperohet në sektorin e terapisë intensive të një spitali.
India ka disa prej spitaleve dhe mjekëve më të mirë në botë, gjë që ka ngritur pyetjen përse liderja e fuqishme të shkonte diku tjetër për operacionin.
Mediat e huaja sugjerojnë se ajo mund të ketë pasur nevojë për një trajtim që nuk është ende i mundur në Indi, por kjo nuk është e konfirmuar.
Top Channel